Mitropoliti serb, Joanikije, u shugurua dje në manastirin e Cetinjes pasi u transportua nga Podgorica me helikopter ushtarak bashkë me patriarkun Porfirije. Ata nuk mund të arrinin në Cetinje nëpërmjet rrugëve tokësore, pasi mijëra protestues për dy ditë rresht i mbajtën ato të bllokuara, duke vënë barrikada.
Paradite, helikopteri u ul në livadhin përballë manastirit, ku Joanikije u shugurua në fronin e Shën Pjetrit malazez.
Sipas mediave malazeze, qeveria ka thënë jozyrtarisht se është përdorur helikopteri ushtarak sepse është më modern, më i shpejtë dhe më i sigurt sesa helikopterët tjerë që ishin në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Hapësira para manastirit u sigurua nga anëtarët e Njësisë Anti-terror të Policisë malazeze të armatosur me armë të gjata. Ata e mbronin Joanikijen dhe Porfirijen me trupat dhe parzmoret e tyre teksa hynin në manastirin e rrethuar nga një kordon policie.
B92 shkruan se sipas mediave në Mal të Zi, koordinatori i shërbimeve të sigurisë, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, këshilltarët e tij, ministri i Brendshëm Sergej Sekuloviç dhe drejtori i Administratës së Policisë Zoran Brgjanin e drejtuan transportin e tyre me helikopter.
Asistentët e Brgjanin – Dejan Knezeviç, Millosh Rakonja# dhe Dragan Goroviç, si dhe kreu i Qendrës së Sigurisë, Goran Jokiç me bashkëpunëtorët e tij ishin në livadh teksa ulej helikopteri. Siç vërehet në një video të “Vecernji novostit” serb, priftërinjtë në manastirin e Certinjes kënduan këngën “Je?am ?ela”, teksti i së cilës përmban pjesë ku thuhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Ceremonia u parapri nga incidentet në të cilat, sipas të dhënave zyrtare, shtatë policë u plagosën dhe dhjetëra protestues kërkuan ndihmë mjekësore. Po ashtu, 14 persona u arrestuan, në mesin e të cilëve edhe këshilltari i sigurisë i presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviç, Veselin Veljoviç.
Shqiptari Dritan Abazoviç, zëvendëskryeministër i Malit të Zi, e ka përkrahur shefin e tij pro-serb në qasjen ndaj protestave të qytetarëve malazezë kundër shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje.
Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç tha se sulmi ndaj policisë ishte sulm ndaj shtetit.
Në një reagim të jashtëzakonshëm pas situatës kaotike në Cetinje dhe shugurimit të mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije II, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç tha se “vetëm një njeri pa dinjitet do ta lejonte veten të futej në manastirin e Cetinjes me helikopter”.
“Sot në Cetinje, ne ishim dëshmitarë të turpit të madh të Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, një turp i paparë në historinë e gjatë të shtetit malazez, dhe njëlloj në historinë e ortodoksisë së përgjithshme”, tha presidenti malazez.
Duke komentuar deklaratën e presidentit malazez për aspiratat dhe përpjekjet e Serbisë për ta nënshtruar Malin e Zi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç reagoi duke thënë se Serbia dëshiron marrëdhënie të mira me Malin e Zi dhe se ai nuk do të lejojë që Gjukanoviçi ta sundojë Serbinë. Kreu i shtetit serb i tha po ashtu presidentit të Malit të Zi se “do ta vazhdojë pastrimin”.
“Ne nuk kemi ndërmend ta nënshtrojmë askënd. Por, unë po i them atij se as ju e as askush tjetër nuk do të jeni në gjendje ta sundoni Serbinë, siç keni bërë për 30 vjet. Ju e keni sunduar këtë vend në të gjitha mënyrat e mundshme, përmes krimit, zyrtarëve të policisë, zyrtarëve politikë, atyre në strukturat e inteligjencës”, tha Vuçiç.
“Ne i kemi fshirë ata që punuan kundër Serbisë. Ka më shumë, por ata janë mbetje. Ne do ta vazhdojmë pastrimin. Ju nuk do ta pushtoni Serbinë siç e pushtuat”, deklaroi Vuçiç.
Protestat e fundit tregojnë qartë tensionet në Malin e Zi midis banorëve që i mbrojnë lidhjet e ngushta me Beogradin dhe malazezëve patriotë që e kundërshtojnë këtë.
Mali i Zi u shkëput nga Serbia në vitin 2006, por kisha e saj nuk është bërë autoqefale dhe është nën kujdesin e Kishës Ortodokse Serbe, të cilën kundërshtarët e shohin si simbol të ndikimit të Serbisë në Malin e Zi të pavarur.
Ndërsa Joanikije vlerësoi se akti i shugurimit është politizuar dhe se askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë Kishës Ortodokse Serbe që ta mbajë ceremoninë diku tjetër, protestuesit malazezë e konsiderojnë fyerje dhe provokim që udhëheqësi i Kishës Ortodokse të ulet në fronin e një manastiri ku tradicionalisht ishte malazezi Shën Pjetri i Cetinjes.