Kapet një tjetër sasi karburanti kontrabandë në vendin tonë. Policia e Tiranës tha se sekuestroi në një banesë në rrugën “Azem Galica”, 2000 litra naftë, e dyshuar kontrabandë.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi B. S., si dhe u procedua penalisht shtetasi G. P., të dy banues në Tiranë.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Diesel 2”.
Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.
Sekuestrohen 2000 litra naftë kontrabandë dhe një pompë karburanti.
Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas ushtronte aktivitet të paligjshëm në fushën e tregtimit të hidrokarbureve, në banesën e tij, në rrugën “Azem Galica”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Diesel 2”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi B. S., si dhe u procedua penalisht shtetasi G. P., të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi B. S. ushtronte aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të hidrokarbureve, në bashkëpunim me shtetasin G. P., që e kishte punësuar. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit B. S. u konstatua një ambient i përshtatur për vendosjen e një pompe karburanti dhe një depozite metalike, e cila ishte e mbushur me 2000 litra naftë, e dyshuar kontrabandë.