Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi në lidhje me aplikimet e kartave të indentitetit, se do të shtohen se në dispozicion të qytetarëve do të shtohen sportelet. Nga njësia Administrative Nr.14, e cila do të mbulojë me shërbime rreth 70 mijë banorë, Veliaj pa nga afër mjediset dhe kushtet që ofrojnë zyrat e reja, ndërsa theksoi se qytetarët do të marrin një shërbim shumë më të shpejtë dhe cilësor.
“Pas shumë vitesh kemi një njësi administrative, pra një lagje e re të Tiranës, ashtu siç ndodhi te Liqeni i Thatë, Kodra e Diellit dhe në zonën e Freskut. Me këto tre lagje të reja, lajmi i mirë është që zyrat janë edhe më të mira: Do të thotë, ruajmë standardet e fundit kur vjen puna te pritja për publikun, te shërbimi për qytetarin, te aksesi për njerëzit që mund të kenë aftësi ndryshe. Besoj se është muzikë për veshët e çdo banori të kësaj lagjeje. Deri dje ishte një komunitet jo i dyzuar, ‘i trezuar’, një pjesë shkonte në Kombinat për shërbime, një pjesë tjetër në Kashar, një pjesë tjetër te ’21 Dhjetori’. Sot s’ka më nevojë. Pa pagesë, pa taksë, mjafton vetëm të vetëdeklarohesh banor i kësaj lagjeje, Nëse vjen nga Berati apo nga Kukësi dhe nëse vjen nga njësia 7 apo nga njësia 6, transferohesh njësoj, automatikisht, në këtë njësi, pa pagesë. Kemi nevojë ta dimë nëse këtu banojnë 7 mijë vetë, aq sa kemi në regjistër, apo 70 mijë, sa janë realisht këtu. Në momentin që qytetarët na ndihmojnë, duke u regjistruar, ne u përgjigjemi menjëherë”, tha ai.
Veliaj dha një lajm të mirë jo vetëm për banorët e kësaj lagje, por për gjithë Tiranën, se duke nisur nga java e ardhshme, njësitë administrative do të shtojnë mjediset për aplikimet për karta identiteti, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata dhe çdo qytetar të pajiset me mjetin e identifikimit në një kohë sa më shkurtër. “Zyra e Aleat-it do të jetë këtu për këtë njësi, për kartat e identitetit dhe pasaportat, pa pasur nevojë të që qytetarët të shtyhen në radhë në njësitë e tjera. Sigurisht, për Aleati-in që emeton kartat e identitetit edhe pasaportat, do të shtojmë ambientet edhe në njësitë e vjetra. Ndaj vlen si njoftim për të gjithë qytetarët”, tha Veliaj.