Partia e Lirisë ka reaguar për 4 vrasjet në 24 orët e fundit në Vlorë, Elbasan dhe Sarandë. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Tedi Blushi thotë se në këtë vend nuk ka shtet, por vetëm krim që ka shtetin e vet.
Me anë të një postimi në Facebook, Blushi thekson se përgjegjës për situatën e krimit në vend është Rama, pasi në 10 vjet pushtet ka promovuar vetëm krimin dhe trafikun e drogës. Ai thotë se mungesa e autoritetit të shtetit dhe vigjilencës për të parandaluar dhe goditur krimin përpara se ai të marrë jetët e qytetarëve është një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.
Reagimi i Tedi Blushit
NUK KA SHTET! KA VETËM KRIM QË KA SHTETIN E VET!
Katër viktima në më pak se 24 orë është bilanci tragjik i revanshit të krimit dhe pasigurisë së jetës në mbarë vendin.
Mungesa e autoritetit të shtetit dhe vigjilencës për të parandaluar dhe goditur krimin përpara se ai të marrë jetët e qytetarëve është një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.
Të kontrollosh jetën private, “deri edhe mendimet” e qytetarëve nëpërmjet patronazhistëve, por të dështosh me institucionet e ngarkuara me ligj në parandalimin e vrasjeve dhe moskapjen e autorëve të tyre do të thotë se kjo Qeveri është në aleancë me krimin, mburojë dhe frymëzuese e tij.
Një Kryeministër që 10 vite në pushtet promovoi krimin dhe trafikun e drogës me ministra në Qeveri, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë në administratë është tregues se në Shqipëri krimi e ka kapur për fyti shtetin.
Është Rama përgjegjës që krimi nga nëntoka, ka dalë në publik dhe demonstron forcën para qytetarëve, duke u marrë deri dhe jetën.