Kazakistan/ Presidenti jep dorëheqje pas 29 vjetëve në pushtet

0
5

Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev, ka dhënë dorëheqje pas afro 30 vjetëve në detyrë, por do të vazhdojë të kryesojë partinë në pushtet si dhe do të mbajë postin e tij si kryetar i Këshillit të Sigurisë.

“Unë kam vendosur të përfundoj detyrën time si president”, tha Nazarbaev në një fjalim televiziv drejtuar kombit.

“Populli më dha mundësinë që të jem presidenti i parë i një Kazakistani të pavarur” tha Nazarbaev, 78 vjeç, i cili ka drejtuar vendin e pasur me energji që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitit 1991.

Ai tha se, tani për tani, drejtuesi i dhomës së lartë të parlamentit , Qasym-Zhomart Toqaev, do të mbajë autoritetin presidencial. Nazarbaev deklaroi se do të mbetet në krye të partisë në pushtet, Nur Otan, si dhe do të qëndrojë si kryetar i Këshillit të Sigurisë.

Kjo detyrë mund t’ia lejojë atij të mbajë një pjesë të madhe të pushtetit. Në korrik të vitit 2018, statusi i Këshillit të Sigurisë së Kazakistanit u ndryshua nga një institucion këshilldhënës në atë kushtetues, duke rritur autoritetin e tij dhe Nazarbaev u bë kryetar me një mandat të përjetshëm. Ky veprim u vlerësua si shenjë se Nazarbaev do përpiqet të mbajë pushtetin edhe nëse jep dorëheqjen si president. Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe kritikët thonë se Nazarbaev ka shtypur vazhdimisht zërat kundërshtues, ka zgjatur periudhën e tij në detyrën e presidentit përmes votave ose referendumeve jodemokratike si dhe ka përdorur instrumentet e pushtetit për të neutralizuar kundërshtarët potencialë.