Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi konformoi sot kandidaturën e tij në primaret e kësaj force politike për të garuar në zgjedhjet lokale të 14 majit. Në një konferencë për mediat, ai tha se Tirana sot është bërë e pajetueshme për shkak të modelit të Veliajt.
Deklarata e Këlliçit
Kam vendosur të kandidoj në primaret e Partisë Demokratike. Ky vendim u arrit për disa arsye: së pari Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim. Besoj se Bashkia është shfrytëzuar nga Veliaj për pasurim të jashtëligjshëm. Veliaj e ka shfrytëzuar detyrën për të blerë mbështetje politike brenda PS-së. Tirana mund të rregullohet edhe pa vjedhur. Ky është një model që politikanët duhet të ndërgjegjësohen. Tirana bëhet çdo ditë e më shumë e pajetueshme. Në 8 vite Tirana humbi trashëgiminë e saj historike qindra vjeçare.
Veliaj kërkon të shfrytëzojë këtë pushtet, i duhet bashkia për një mandat të tretë, që këtë model të vjedhjes ta rrisë akoma më shumë. E kam të papranueshme të mbetem një dëshmitar okular i kësaj katastrofe në Tiranë. Të rinjve këtu u duhen tre jetë për të blerë një apartament. Veliaj është i vetmi njeri që mund të ketë konkurruar Ramën për abuzim me detyrën, për instalimin e një modeli të mbrapshtë. Ai dhe modeli i tij duhet larguar një orë e më parë.
Kandidoj pasi besoj se për të drejtuar Tiranën duhet të fitosh në fillim besimin e forcës ku kandidon. Unë nuk i bëj kurrë bisht garave dhe përballjes.
Nuk kam asgjë për tu turpëruar dhe jam krenar për rrënjët e mia. Nuk kam të vdekur në ndërgjegje. Nuk kam shpikur inceneratorë për të vjedhur. Nuk e kam futur kurrë dorën në xhepin e askujt. Mua nuk më lidh asgjë me këtë model të neveritshëm.