Shkrimtari Kim Mehmeti ka bërë një analizë, një këndvështrim tjetër lidhur me reagimet e shumta pas shpalljes së Berishës dhe familjes së tij “non-grata” nga SHBA.
Ai thotë se nëse do ishte në dorën e tij, këtë listë të zezë të burrave të shtetit që nuk lejohen të dalin nga vendi, do e niste me ata që rrënuan Teatrin Kombëtar dhe kanabizuan vendin.
Nuk harron të përmendë drejtuesit e BDI-së në Maqedoni, për të cilët thotë se lejuan deshqiptarizimin e Shkupit.
Shkrimi i plotë i Kim Mehmetit
“Nëse ne shqiptarët do e kishim bërë ‘listën e zezë’ të burrështetasve që e plaçkitën shqiptarinë, e të cilëve, do duhej t’ua ndalonim daljen nga ‘Shqipëritë’ tona dhe do i detyronim ta kthenin të vjedhurën, shumë pak politikanë të tri dekadave të fundit do mbeteshin jashtë asaj liste.
Dhe sa më përket mua, atë listë do e filloja me ata që e rrënuan Teatrin Kombëtarë në Tiranë si dhe, në të nuk do mungonin as drejtuesit e BDI-së, që e lejuan deshqiptarizimin e Shkupit. Pra me ata që Tiranën e bënë lavartriçe ku lahet pisllëku që është duke e kalbur Shqipërinë dhe, me ata që Shkupin e bënë varrezë, ku u gropos e vërteta shqiptare për të.
Por ja, ngaqë u treguam popull i paaftë për ta mbrojtur vetveten nga të vetët edhe na ndodh që ‘lista e zezë’ amerikane të na bëjë ta harrojmë ‘librin e zi’ të vjedhjes zgjedhore të 25 prillit në Shqipëri.
Ndërkohë ja një këshillë për ata të paktët që më besojnë: nuk është demokraci ajo që lexoni nëpër libra si dhe, kurrë mos harroni se jetojmë në kohë kur nuk ka miqësi mes popujve, kur nuk vlerësohesh nga ajo si dhe çka ke bërë për popullin tënd, por sa i përmbahesh parimit se ajo që i lejohet të fortit e të pasurit, të mos i shkojë ndërmend ta bëjë i vogli dhe ‘qafiri’.
Dhe që të mos del se e shmangi qëndrimin tim rreth emrave të përfshirë në ‘listën e zezë‘ amerikane, ta them shkurt e qartë: sa më përket mua, pa emrat e atyre që Shqipërinë e bënë “mëmëdhe” të kanabisit dhe ku më të shpeshta janë vrasjet se dasmat, ajo mua më ngjanë në ‘listë nderi’!