Pesëdhjetë vjet pasi Neil Armstrong bëri hapin e tij, ekziston një garë e përtërirë për t’i vendosur qeniet njerëzore përsëri në hënë … dhe një tjetër që mund të shkelë atje, mund të dërgojë përshëndetje për të tjerët në tokë në kinezisht.
Kjo pasi që, sipas një shkrimi të publikuar në Bloomberg, përcjell Telegrafi, Kina, e cila nuk kishte ndonjë program të eksplorimit të hapësirës kur Apollo 11 u ul në “Detin e Qetësisë” më 20 korrik 1969, po planifikon një seri misionesh për të arritur këtë gjë.
Madje, sipas parashikimeve, Kina mund të ketë astronautët e saj që ecin në sipërfaqen e hënës dhe të punojnë në një stacion kërkimi deri në vitin 2030.
Në rrugë drejt këtij planeti, ata mund të ndalojnë në një stacion hapësinor të planifikuar duke filluar nga viti i ardhshëm.
Dhe këto ambicie shqetësojnë administratën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili është i bllokuar në kontestet e tregtisë dhe të teknologjisë me Kinën që rrisin frikën e një lufte të re të ftohtë, si ajo midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik që solli programin Apollo në vitet 1960.
Me rivalitetin SHBA-Kinë që mund të shtrihet në kozmos, Trump dëshiron të krijojë një degë ushtarake të quajtur Forca Hapësinore dhe të përshpejtojë orarin e NASA-s për t’u kthyer në hënë.
“Mos bëni ndonjë gabim lidhur me këtë: Ne jemi në një garë hapësinore sot, ashtu siç ishim në vitet 1960 dhe aksionet janë edhe më të larta”, tha në mars zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence.
Zyrtarët kinezë janë po aq të vendosur për rëndësinë e programit hapësinor.
Një arritje në hënë supozohet se ka për qëllim të hapë qiejt për misionet më të largëta, ndërsa Kina përpiqet të jetë një fuqi dominuese e hapësirës në kohën kur Partia Komuniste feston përvjetorin e saj, njëqindvjetorin e sundimit në vitin 2049.
“Unë nuk do të isha i befasuar nëse zëri tjetër nga hëna do të fliste në gjuhën Mandarin”, ka thënë Joan Johnson-Freese, një profesor dhe ekspert i politikës së hapësirës në Kolegjin e Luftës Detare të Uashingtonit në Newport, Rhode Island.
(Mandarin është deri tani më i madhi nga shtatë apo dhjetë grupe të dialekteve kineze, të folura nga 70 për qind e të gjithë folësve kinezë mbi një zonë të madhe gjeografike).
Kina tashmë është një pionier galaktik.
Kur Armstrong dhe Buzz Aldrin ecnin në sipërfaqen hënore, ata përmbushën thirrjen e Presidentit John F. Kennedy në vitin 1961 për të “vendosur” një amerikan në hënë deri në fund të atij dhjetëvjeçari.
Buxheti aktual i NASA-s është 21.5 miliardë dollarë dhe administrata Trump po kërkon një tjetër 1.6 miliardë dollarë për vitin aktual fiskal për të financuar kthimin hënor, një program i quajtur Artemis.
NASA-s do të ketë nevojë për miliarda dollarë më shumë për të përmbushur afatin e vitit 2024.
“Ne po ndërtojmë një arkitekturë që na mundëson të shkojmë në hënë për të qëndruar për periudha të gjata kohore me partnerët tregtarë dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha administratori i NASA-s, Jim Bridenstine në një intervistë të 2 korrikut.
Ndërkohë Agjencia do të shqyrtojë mundësinë e përdorimit të kompanive komerciale për një “aterues hënor”.
Pse Kina mund të jetë e para?
Ndërkohë që politika e hapësirës së SHBA-së është subjekt i “lëkundjeve politike”, kjo nuk ndodh në një komb me sundimin e një partie.
Hulumtimet dhe eksplorimet ndëryjore janë piketat e planit të presidentit kinez Xi Jinping.
Xi tha më parë këtë vit se partia do të “ndjekë ëndrrën e palodhshme të kombit për të fluturuar dhe për të arritur në hënë”.
Këshilli i Shtetit i Kinës në vitin 2016 përshkroi një strategji hapësinore pesëvjeçare që përfshinte zhvillimin e një rakete super të rëndë për të transportuar ngarkesa të mëdha në orbitë, duke lansuar një teleskop për të studiuar vrimat e zeza dhe ndërtimin e një stacioni hapësinor.
Ky stacion pritet të jetë plotësisht operacional rreth vitit 2022, sipas China Daily.
Strategjia gjithashtu bëri thirrje për fluturim në hapësirë me njerëz.
Kina dëshiron të vendosë një stacion kërkimi shkencor pranë polit jugor të hënës për rreth 10 vjet dhe të kryejë misione me astronautë në sipërfaqen hënore, tha Zhang Kejian, kreu i Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës, gjatë Festës së Ditës Hapësinore në prill, sipas China Daily, përcjell Telegrafi.
“Është plotësisht e besueshme se Kina do të ketë një program hapësinor më të sofistikuar sesa NASA ose SpaceX ose Blue Origin”, tha Blaine Curcio, themelues i Orbital Gateway Consulting në Hong Kong.
Çfarë dëshiron Kina atje?
Programi i marrjes së mostrave sinjalizon se Kina është e interesuar jo vetëm në vendosjen e flamurit të saj në tokën hënore, por edhe në shfrytëzimin e burimeve në të, thonë analistët.
Plani i Këshillit të Shtetit në mënyrë të përsëritur referon përdorimin e programit për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.
Por, uji në poret e hënës mund të ndihmojë në mbajtjen e jetës njerëzore dhe elementët e rrallë në Tokë, të tilla si heliumi 3, mund të kthehen prapa për të gjeneruar energji pothuajse të pakufizuar.
Gjithsesi, Kina nuk është e vetme në kërkim të “minierave” të hënës.
Shtetet e Bashkuara, Agjencia Evropiane e Hapësirës, India dhe të tjerët kanë shprehur interes të ngjashëm. India njoftoi gjithashtu planet vitin e kaluar për t’u bërë kombi i katërt për të nisur njerëzit në hapësirë.
Por, vlerësohet se duke pasur parasysh kompleksitetin e shkencës së raketave, Kina ende përballet me shumë sfida në arritjen e hënës.
Shpenzimet hapësinore të Kinës vitin e kaluar ishin rreth 8.48 miliardë dollarë – më pak se gjysma e shpenzimeve të NASA-s.
Ligji i SHBA-së e kufizon NASA-n nga bashkëpunimi me Kinën për shkak të spiunazhit. Për ta kompensuar këtë, Kina është duke përfshirë globin për të tërhequr partnerë hapësinorë.
Kështu, Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës nënshkroi një marrëveshje me Pakistanin në prill për të bashkëpunuar në misionet me njerëz. Shkencëtarët kinezë po punojnë gjithashtu me homologët e Brazilit dhe Francës.
Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës nuk janë përkeqësuar në nivelet që nxitën garën hapësinore të viteve 1960, por disa analistë thonë se është e pashmangshme që të dy vendet do të garojnë për epërsinë në kozmos.
Në një intervistë me televizionin shtetëror, Ye Peijian, një zyrtar i lartë me programin e eksplorimit hënor, shpjegoi pse Kina donte të shkonte në hënë.
“Nëse tani jemi në gjendje të shkojmë, por ne nuk shkojmë, gjeneratat e ardhshme do të na fajësojnë”, tha ai. “Nëse të tjerët shkojnë atje, atëherë ata do të marrin përsipër”.