Policia e Sarandës ka intensifikuar kontrollet në vijën bregdetare me qëllim lirimin e hapësirave pulbike për pushuesit.
Lirohet hapësira në vijën bregdetare, në vendin e quajtur “Pema e thatë”, në Ksamil.
Procedohen penalisht administratori dhe pronarja e subjektit, e cila kishte zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra, të vendosura pa lejen përkatëse, si dhe nuk lëshonte kupon tatimor për shërbimin e ofruar.
Sekuestrohen 489 çadra dhe shezlongë.
Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit:
-Gj. I., 58 vjeçe (pronare e subjektit), për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-K. I., 38 vjeç (administrator i subjektit), për veprën penale ““Pushtimi i tokës”.
Shërbimet e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Sarandë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 489 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur “Pema e Thatë”.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.