Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese është shoqëruar me debate dhe shkak për këtë është bërë huaja shtesë me vlerë 49 milionë dollarë për zhvillimin e rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës.
Opozita ka hedhur akuza se po bëhen abuzime në këtë projekt pasi sipas tyre ka 13 vite që ka nisur dhe janë kryer vetëm 51% të punimeve.
Për Helidon Bushatin kjo është e patolerueshme ndërsa ka shtuar se qeveria po tallet me paratë e shqiptarëve. Por kjo gjë është kundërshtuar nga përfaqësuesja e ministrisë se Infrastrukturës duke thënë se puna ka nisur që në 2017 ndërsa akti shtesë kërkohet vetëm për segmentin 3: Qukës-Qafë Pllocë.
Pjesë nga debati
Helidon Bushati: Kjo është një nga ato rrugët e ngelura rrugëve, ka 13 vite që ka nisur, ndërkohë zv. ministrja thotë që për 22 muaj do të përfundojë. Fakti që ka kaq shumë vite që ka nisur, nuk të jep shpresë. 49 milionë për një segment ku janë bërë vetëm 51% e punimeve. Është e patolerueshme në gjykimin tim. Ka shkuar deri më tani rreth 250 milionë, më shumë se gjysma e fondit fillestar, kostoja e rrugës 7 milionë euro km, standardet më të mira në botë janë 4 milionë për rrugët me standardet më të mira, është një gangrenë që po shkatërron buxhetin. Për të mos folur për element të tjerë që pas 13 vitesh paguajmë Akoma për konsulencë, kjo rrugë është vetëm 1 që tregon talljen dhe abuzimet që bëhen me paratë e shqiptarëve.
Përfaqësuesja e ministrisë: Ky financim dhe ky akt shtesë, vetëm me segmentin 3: Qukës-Qafë Plloçë… në 2019 u ndalua me kërkesë të vetë financuesit.
Gështenja: Ju pas 13 vitesh vini dhe na thoni fajin e ka fondi saudit, jo fajin e keni ju. Nga 2019 deri më sot nuk është punuar, fajin e keni vetë se nuk keni gjetur fonde. Kur do të vihet në funksion?
Mziu: Qytetarët, të thuajse gjysmës së Shqipërisë për të shkuar në pjesën lindore të vendit mezi e prisnin, po pas 10 vitesh jemi në të njëjtën situatë, në një rrugë që s’ka dritë se kur do fillojë. Thoni se duhen të tjera muaj, për ta përfunduar. Ka thyer çdo standard të projektimit të një rruge. Kur do të përfundojë kjo rrugë?
Përfaqësuesja e ministrisë: 31 dhjetor 2025 pjesa Qukës-Qafa e Plloçës …. Segmenti 1 dhe 2 Tiranë-Elbasan-Qukës, në dhjetor 2024.