Kjo Shqipnija me krye n’hí…

0
397
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Ti ke pas kenë një Zojë e Randë, burrat e Dheut e thirrshin Nanë!”

Nuk e di pse ky varg mbetet pas më shumë se 130 vitesh, sikur ta shkruash sot, madhështor ky Pashko Vasë Shkodrani, i trishtuar dhe i pikëlluar deri në asht (kockë).

Sepse mishi tretet dhe ashti mbetet, mizeriet e të përditshmes do t’kalben herët a vonë në dheun e harresës, ndërsa kockat, ashti pra, ngurtësohet e rron e dëshmon egzistencën tonë për qindra e qindra vite…

Ashtu edhe ky varg i Pashko Vasës, këtij dijetari dhe këtij gjenerali të suksesshëm i Perandorisë Turke, Guvernator i Libanit, endet në kohëra si një “varg-asht”, që nuk tretet.

Jo thjesht sepse është i bukur, por sepse është, shumë i vërtetë.

Sepse t’paktë janë ata që e duan këtë Shqipni-Nanë, si një simbol të identitetit të tyre.

Sepse t’paktë ose të aspaktë janë ata, që u pikon një lot dhimbjeje, n’masakrën që u bahet pasunive të saja, në rrobtimin që u bahet, qyqarëve t’shumtë që jetojnë n’ktë tokë t’lashtë.

Sa kokrra mashtruesish që kan msue me rrejtë, para se sa me folë shqip, ja kanë hypë shpinës së kësaj Nane, me thika e garuzhde n’brez dhe nuk ngopen, duke e therrun mishin e tuj ja pi gjakun e pakët, ditë pas dite e vit pas viti.

Dhe banditët krekosen si sipërmarrës dhe një skërfyell i gjatë, një tullumbace e fryrë, që fsheh nën kostumet e shtrenjta 999 komplekset e tija të pashërueshme, u shërben si kryeministër -kryeshërbëtor, në pjatanca të florinjta pasuritë tona kombëtare.

Dhe nuk i plas trapi këtij kryeshërbëtori se çfarë vjen pas dhe se Shqypnija mbetet me kryet n’hi.

E kanë shtrirë Atdheun si një Drenushë të plagosur, që shqyhet nga lukunia e hienave, që qeshin neveritshëm pas shqyerjes së çdo llokme…

Dhe qeshin pështirshëm, kur Drenusha e përgjakur dhe me kryet n’tokë dhe n’hirin e shkrumbit që e rrethon, lshon britma e piskama dhimbjeje…

Dhe lëpinjnë gjakun e saj që u rrjedh nofullave epshqare, dhe përsëri qeshin kur n’agoni, kur kjo ish Zojë e Randë, u bërtet me të madhe e mes lotësh fëmijve të saj:

“Largojuni nga ky vend se do t’ju shqyejnë edhe ju… por pashi t’Madhin Zot!… Mos e harroni se asht gjynah me e bjerr, ktë tokë t’bekueme që na ka dhurue i Lumnueshmi!”

Dhe largohen me turma “klyshët” e Shqypnisë së dergjun, nëpër Botën e madhe, duke e lanë Atdheun e vet në pushtetin e hienave dhe rracës “mosShqypnidashëse”…

360 grade

Zjarr Tv Ad