Partia Socialiste zhvilloi dje “online” mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama kërkoi një regjistrim real të anëtarëve të partisë. Pas këtij momenti, Rama paralajmëroi zgjedhje brenda partisë.
Sipas tij, ka ardhur koha që të bëhet zgjedhje për riorganizimin e partisë.
“Janë konstatuar probleme në përbërjen e organizatave dhe regjistrin e partisë. Ka nevojë për të arritur me balancën gjinore në bashkëdrejtimin e organizatave të Partisë. Duhet një cens real i anëtarëve aktivë. Duhet të ndahet veç pjesa joaktive. Duam minimalisht 4 anëtarë të rinj në çdo organizatë. Dua dokumentim organizatë më organizatë prej çdo drejtuesi politik. Dua raport dhe fotografi. Pas kësaj, bëjmë zgjedhje 15 mars-15 prill. Duhet ripërtëritje të çdo qelize të partisë”, – mësohet të jetë shprehur Rama.
Nga drejtuesit e qarqeve ka kërkuar të dokumentojnë punën që po bëhet nga çdo organizatë si dhe ripërtëritje të çdo qelize, ndërsa më 15 mars-15 prill do të mbahen dhe zgjedhjet për kryetarët e degëve.
“Asambleja dhe drejtuesit e qarqeve të punojnë për të rritur me 4 anëtarë çdo organizatë. Punoni sikur në 15 mars të ishin zgjedhje të përgjithshme. Strukturat të jenë aty për njerëzit, inventar për çdo familje, problematikat që kanë”, – mësohet t’u ketë thënë drejtuesve Rama.
Asambleja e PS do të mblidhet edhe më 16 mars në një takim në qytetin e Durrësit. Takimi i fundit i anëtarëve të Asamblesë ishte më 11 shkurt, ku u bë një analizë e strukturave socialiste në qarqe. Ndërsa në fokus ishin edhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare 2025. Pas mbledhjes kreu i PS-së, kreu i mazhorancës tha për gazetarët se kjo mbledhje kishte si qëllim për të vijuar me angazhimet e reja, ku përfshihen edhe balancat gjinore në ato organizata ku ka probleme.
“Shkoi shumë më mirë se sa disa nga kolegët mendonin dhe shpreheshin. Jemi në fazën e dytë, që është faza e angazhimit për anëtarësimet e reja, dhe për adresimin e balancës gjinore, në disa organizata në çdo qark”, – theksoi Rama. I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë ndryshime në parti, Rama theksoi se PS është këtu sot për shkak se herë pas here ndryshon veten. “Ndryshimet janë pjesë e jetës së PS, prandaj PS është parti fituese pasi ndryshonin vetveten. Unë shoh një angazhim pozitiv edhe nga raportimet e sotme, është e qartë që angazhimi është pozitiv. Plus që sistemi ynë është një sistem që ka pasqyra të cilat flasin vetë dhe nuk është se çfarë raporton njëri apo tjetri”, – tha Rama.