Daily Mail ka shkruar një artikull për keqtrajtimin e madh ndaj kafshëve që bëhet në Shqipëri.
‘Është kopshti zoologjik i ferrit’ kështu e përshkruan rastin e “Safari Park Zoo”. Fotografitë e publikuara nga një fotograf aktivist për të drejtat e kafshëve që ka preferuar të mbetet anonim tregojnë ferrin që përjetojnë kafshët e egra. “Safari Park është një Kopësht Zoologjik privat në hyrje të qytetit të Fierit, në jug të Shqipërisë. Autoriteteve shqiptare i kërkohet që të ndërhyjnë urgjentisht në këtë park me kafshë të kequshqyera dhe të keqtrajtuara”, shkruan prestigjozja britanike.
“Ky luan kockë e lëkurë vuan nga një infeksion i syrit dhe mbahet në kushte të keqija dhe duket i paushqyer”, shkruhet në artikull. Imazhet tregojnë luanin dhe kafshë të tjera brenda kafazeve të rrethuar nga papastërti, afër tyre mungon uji i pastër si dhe ambienti me hije.
“Daily Mail” raporton se kafshë të tjera si zebra, një ari apo një ujk i dobët, gjithashtu jetojnë të izoluar dhe pa ushqim në këto kafaze, në kopshtin zoologjik privat. Fotografi që mundi të shkrepte fotot tha për “Daily Mail” se të gjitha kafshët mbahen brenda kafazeve të vogla, johigjienike dhe të pista. Luani s’ka fuqi të ngrihet në këmbë nga mungesa e ushqimit. Kafshët jetojnë në kushte mizore, pa kujdes veterinar dhe dietë ushqimore”.