“Korrupsion në të gjitha degët e Qeverisë”, DASH publikon Raportin për Shqipërinë: Problem liria e gjyqësorit dhe shtypit, 25 prilli ishte “okay”

0
129
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se çështjet kryesore lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishin “problemet me pavarësinë e gjyqësorit ndërsa vazhdonte procesi i vetingut; kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet lokale”.

Këto përfundime përfshihen në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë.

“Mosndëshkimi mbeti një problem, megjithëse Organi i Specializuar për Antikorrupsionin dhe gjykatat antikorrupsion bënë përparim të rëndësishëm gjatë vitit në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.

Raporti thotë se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë arriti në përfundimin se zgjedhjet e 25 prillit ishin të organizuara mirë, votuesit kishin alternativa mes kandidatëve që ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i menaxhoi në mënyrë adekuate detyrimet e tij.

“Megjithatë raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, theksoi disa mangësi, duke përfshirë blerjen e votave, rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale dhe avantazhin e konsiderueshëm të fituar nga partia në pushtet për shkak të të qenit në pushtet”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeveri

Departamenti i Shtetit thotë se qeveria nuk e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore.

“Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar”, thotë raporti.

Raporti përmend se deri në shtator u hapën hetime dhe u ngritën akuza nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj disa zyrtarëve publikë, përfshirë ish-ministra, kryetarë bashkie, gjyqtarë dhe prokurorë në detyrë, ish-gjyqtarë dhe gjyqtarë të Dhomës së Apelit të Vettingut të Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe zyrtarë të pushtetit ekzekutiv.

Që nga shtatori, një gjyqtar, dy prokurorë, një kryetar komune dhe ish-drejtori i prokurimit në Ministrinë e Brendshme u paditën për shpërdorim detyre ose akuza për korrupsion.

Departamenti i Shtetit thotë se megjithëse disa agjenci qeveritare hetuan rastet e korrupsionit, burimet e kufizuara, rrjedhjet hetimore, presioni real dhe i perceptuar politik dhe një sistem emërimi i paorganizuar mirë, i penguan hetimet.

“Ndërsa prokurorët bënë përparim të rëndësishëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit publik të nivelit të ulët dhe të mesëm, shkalla e ndjekjes penale për zyrtarët e rangut të lartë mbeti e ulët”, thuhet në raport.

Departamenti nënvizon se edhe korrupsioni në polici vazhdoi të përbënte problem.

“Policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, mungesa e pajisjeve dhe mbikqyrja e pamjaftueshme shpesh patën pasoja në zbatimin e ligjit”, thotë raporti.

Departamenti i Shtetit thotë se autoritetet vazhduan t’i adresojnë këto probleme duke përmirësuar objektet e policisë, automjetet dhe duke theksuar publikisht masat kundër korrupsionit. Po ashtu qeveria krijoi një sistem për verifikimin e zyrtarëve të sigurisë.

Zjarr Tv Ad