Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për Telegrafin se Kosova po kalon në një fazë tejet të rënduar si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik.
“Sa i përket dialogut, ne nuk kemi asnjë nevojë që të ngutemi. Kosova ka nevojë për forcim së brendshmi por siç po duket me qeverisjen aktuale është duke u degraduar edhe më shumë. Ne nuk pajtohemi me këtë formë të dialogut, ne kemi thënë qëndrimet tona publike për dialogun. Kjo aventura e fundit e Kuvendit, me rezolutën, me projektligjin dhe me platformën ishte frymëmarrje për Hashim Thaçin dhe jo që ka për qëllim vendosjet e parimeve në negociata me Serbinë. Prandaj ne e shohim që kjo aventurë, për të krijuar një delegacion kushtetues është komplet e pavlerë dhe në dëm të vendit. Para çfarëdo veprimi tjetër, Kuvendi i Kosovës, si një Kuvend republikan, është dashur me urgjencë të votoj një dokument ku e ndalon shprehimisht Hashim Thaçin për vazhdimin e projektit të tij të rrezikshëm, pra ia merr dialogun, që e ka uzurpuar dhunshëm, pa të drejtë kushtetuese dhe pa ia dhënë Kuvendi”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se Kosova ka një Kuvend jofunksional dhe një Qeveri të pakicës dhe skandaleve të përditshme, ku sipas saj qytetarët e Kosovës, me të drejtë janë të dëshpëruar nga kjo Qeverie e cila siç tha Haxhiu e ka thelluar të keqen.
“Po sot ka 100 arsye për të protestuar. Në këtë kuptim, ne jemi shumë të interesuar të kemi veprime konkrete. Në këto rrethana vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, mirëpo nëse vazhdohet kështu protestat janë të pashmangshme. Qytetarëve duhet t’ju kërkohet të qëndrojnë në Kosovë, ndonëse kanë arsye për ta bërë, le të mos e humbin shpresën. Qeverisë aktuale i përshtatet shumë ikja e qytetarëve sepse vetëm ashtu do të mund të qëndrojnë rehat nën lluksin e tyre abuziv”, është shprehur ajo.
Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, Kosova po shndërrohet në një vend pa shpresë.
Analisti politik, Belul Beqaj ka thënë për Telegrafin se me këto probleme Kosova po shkon drejt degradimit.
“Bllokada e dialogut, punësimet familjare dhe korrupsioni, krimi i organizuar, po e shndërrojnë Kosovën në shtet të pa shpresë. Mbi 60% të rinjve kanë zënë pozitat startuese për të t’u larguar nga shteti për krijimin e të cilit prindërit e tyre kanë sakrifikuar edhe jetën. Boshatisja e Kosovës është argumenti më serioz që akuzon politik-bërësit dhe politikat deprimuese gjatë këtyre viteve. Me këto probleme Kosova po shkon drejt degradimit dhe tretjes së shpresës se nesër do të bëhet më mirë”, ka thënë ai.
Beqaj ka theksuar se Opozita dhe aktivizimi qytetarë për protesta është formë që duhet të jetë e pranishme tani.
“Shprehja e pakënaqësive po shihet me synimet e largimit të qytetarëve nga Kosova .Opozita dhe aktivizimi qytetarë për protesta është formë që duhet të jetë e pranishme, por jo vetëm sa për të shfaqur pakënaqësitë por edhe për të ofruar alternativa për të gjitha hallkat e sistemit politik të dështuar. Mjerisht, Kosova është kapluar nga epidemia e shtetit të kapur, ku të lirë për veprim nga pushtetarët kanë mbetur vetëm ata që atyre nuk ju nevojiten dhe numri i vogël i atyre që nuk kanë dashur të bëhen instrument në duar të pushtetit”, është shprehur ai.
Analistit të çështjeve politike Ramush Tahiri ka thënë për Telegrafin se Qeveria në Kosovës i ka kapur të gjitha segmentet e shtetit.
“Karakteristikë e Kosovës është se kemi një Qeveri gjithëpërfshirëse në kuptimin që është lidhur me të gjitha poret e jetës, së bashku me të gjitha partitë e koalicionit, duke i kapur të gjitha segmentet e shtetit, dhe duke i kontrolluar deri në imtësinë më të vogël. Gjithashtu përmes buxhetit dhe tenderëve, pagave, ndihmave sociale ka mashtruar kategoritë aktive të qytetarëve dhe praktikisht po del që po krijon një klientelizëm”, ka thënë ai.
Sipas tij Qeveria e ka edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve që e ka sjell vendin në këtë gjendje.
“Po ashtu edhe ndërkombëtarët po e përkrahin, pasi që kjo Qeveri po tregohet si e pushtetshme për ta mbajtur destabilitetin e vendit. Faktori ndërkombëtar duke e pasur parasysh këtë segment nuk po bënë presion për t’i ecur proceset demokratike. Pastaj kjo Qeveri ka kohë që është e pakicës, por me ndihmën e PSD-së po i siguron votat e mjaftueshme t’i kaloj ligjet”, është shprehur ai.
Tahiri ka thënë se Opozita është vetëm formale pasi që sipas tij nuk është duke marr asnjë iniciativë për ta ndryshuar gjendjen.
“Opozita deri tani nuk ka marrë asnjë iniciativë në Kuvend. Ata duhet ta marrin reformën zgjedhore, ta shtinë në Kuvend mocionin e votëbesimit për Qeverinë, ndërsa thonë se nuk i kanë 61 vota ,por me i pas ato do ishin në Qeveri. Ata i kanë 40 vota sa për ta inicuar mocionin, pastaj le t’ua lënë në dorë deputetëve. Opozita kurrë nuk i ka argumentet për ndonjë ligj që e aminon opinionin. Mungesa e reformave po e bllokon perspektivën e qytetarëve që nuk po shohin të ardhmen për vete këtu, dhe po ikin. Këtë krejt fatkeqësi është liberalizimi i vizave që nuk e kemi, e që kjo do të mundësonte të dalin jashtë vendit për gjetjen e mundësive të punës. Po ashtu janë bërë të paturpshme partitë sepse në Kosovë është papunësia e madhe ndërsa ka shumë të kualifikuar, ku për një vend pune aplikojnë 200 vetë. Kurse partitë në pushtet i punësojnë ata të krahinave apo familjarët, duke konsideruar që kanë kualifikim. Ata nuk e respektojnë institutin e konkursit”, ka thënë ai.
Ndër të tjera Tahiri ka folur edhe për Prokurorinë dhe Gjyqësinë, ku tha se nuk kanë guxim të hetojnë rastet e profileve të larta.
“Pastaj është patetike kur thuhet se Prokuroria e Gjyqësia nuk janë të pavarura. Ata janë të pavarur, por janë të frikësuara që t’i kapin peshqit e mëdhenj. Nuk guxojnë të marrin procedura ndaj njerëzve në pushtet. Asnjëherë prokurori nuk ka qitë një tender të ndonjë ministrie në gjyq, ose kontrata të paligjshme e gjëra të tjera”, ka thënë ai.