Në pritje të nisjes së punës nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor për procesin e ardhshëm elektoral, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike draftin e saj të propozimeve.
Në dokumentin e hartuar nga Komisioneri Celibashi, propozohen ndryshime në 3 shtylla kryesore.
Fillimisht, KQZ rekomandon ndryshime të pjesshme të kuadrit ligjor zgjedhor ku përfshihen dhe rregullat e financimit të fushatës zgjedhore.
Sipas propozimit, në këtë pikë duhet të përcaktohen rregullat për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në median në online, në rrjete sociale dhe në median e shkruar. Gjithashtu KQZ rekomandon që të përcaktohen rregullat në lidhje me financimin dhe fushata e subjekteve zgjedhore të identifikuara si “palë e tretë”.
Për administratën zgjedhore, KQZ rekomandon një zbehje të rolit të partive në përcaktimin e komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta.
Po ashtu Komisioneri Celibashi bën rekomandime në lidhje me përdorimin e aseteve publike në fushatë nga funksionarë publikë.
Rekomandohet që të përcaktohen në mënyrë shteruese çfarë duhet të jetë e ndaluar për funksionarët publikë në kuadër të fushatës zgjedhore, si dhe mekanizmat për verifikim nga KQZ.