Krimi dhe mashtrimi si sëmundje mendore të politikës shqiptare

0
51
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ergys Mërtiri

Një nga efektet më të këqija të krimit është brendësimi i tij në psikikën e njeriut dhe shoqërisë. Efekti dhe pasojat e kësaj janë të thella dhe afatgjata.

Nga përvojat në burgje, psikologët thonë shpesh se kriminelët thuajse asnjëherë nuk e njohin veten për të tillë. Ata gjithmonë mendojnë se krimet që kanë bërë kanë qenë, ose veprime të drejta, ose thjesht rrjedhoja të rrethanave të caktuara, por zor se ata të pranojnë se ato lidhen me qenien e tyre kriminale.

Ajo çfarë ndodh në këto rsate është një proces brendësimi i krimit i cili bën që ndërgjegjia të transformohet për ti bërë atij vend. Në këto kushte njeriu përpunon një sërë bindjesh dhe justifikimesh nëpërmjet të cilave e rehabiliton krimin brenda ndërgjegjes së vet. Për këtë arsye, krimi dëmton edhe vetë psikikën e atij që e kryen. Ai bëhet një sëmundje që çrregullon shëndetin mendor të atij që e ushtron.

Në fakt, krimi është brendësuar në përgjithësi në shoqërinë tonë në 50 vite diktaturë të mbushur me dhunë dhe terror. Ndoshta pasoja më e keqe e diktaturës nuk është thjesht numri i madh i viktimave dhe egërsia e pushtetit ndaj tyre, por rehabilitimi që ky pushtet i ka bërë atij në ndërgjegjen e shoqërisë. E gjithë fuqia propagandistike e diktaturës, duke filluar nga kinemaja, letërsia, arti, kultura, media e deri tek shkollat apo ndërmarrjet, ka farkëtuar natyralizimin e krimit në shoqërinë shqiptare, efektet e të cilit vazhdojnë edhe sot. Fakti që kjo shoqëri nuk u ngrit kurrë seriozisht të dënojë krimet e së shkuarës dhe fakti që sot ajo nuk reagon moralisht ndaj kriminelëve ordinerë e politikë, por priret ti justifikojë, e madje shpesh edhe ti respektojë ata, tregon nivelin e lartë të infektimit që ka prodhuar indoktrinimi komunist.

Duke analizuar një funksionar nazist të dënuar për krime ndaj hebrenjve, Hannah Arendt vëren se si ai e kish brendësuar gënjeshtrën kur flitej për kontributin e tij në shfarosjen e hebrenjve. Shoqëria ku ai kish jetuar e kish farkëtuar gënjeshtrën në ndërgjegjen e tij dhe ai nuk njihte të vërtetë tjetër. Shoqëria naziste prodhoi logjikën nëpërmjet të cilës gënjeshtra i ndihmonte asaj të mbrohej nga e vërteta, çfarë bëri të mundur justifikimin e zhdukjes së miliona njerëzve. Zakoni për të gënjyer veten ishte bërë aq i rëndomët si një parakusht moral për të mbijetuar, sa edhe pas 20 vjetësh, kur po zhvillohej gjyqi, mashtrimi kishte mbetur pjesë përbërëse e karakterit gjerman. E gjithë kjo reflektonte armosferën e gënjeshtrës sistematike që përshkonte regjimin e Rajhut të Tretë.

Kjo atmosferë mashtrimi si instrument mbijetese gjendet tragjikisht e pranishme kudo në politikën shqiptare sot, krahas brendësimit të dhunës, krimit dhe korrupsionit. Turmat e militantëve që mbrojnë horrllëqet e liderëve të tyre, që nuk pranojnë faktet por shtrembërojnë me vetëdije të vërtetën, janë simptomat e të jetuarit si qenie të deformuara në karakter nga kjo mënyrë e të bërit politikë.

Në kushtet e presionit moral të ardhur nga korruptimi i thellë ku janë zhytur forcat politike, përkrahësit e verbër të tyre ndjejnë nevojën të bëjnë sforcime të mëdha logjike për të shtrembëruar faktet e hidhura me të cilat përballen çdo ditë. Ata detyrohen ta ekzagjerojnë deri në grotesk shtrembërimin e fakteve për të mbrojtur liderët e tyre, të kapur vazhdimisht nëpër skandale. Mashtrimi bëhet kështu domosdoshmërisht pjesë e karakterit të militantit si instrument i pashmangshëm për mbijetesën e tij si qenie politike, në përpjekje të dëshpëruar për të legjitimuar një politikë që e ka humbur dëshpërimisht moralin.

Kjo është arsyeja përse shohim socialistë të gatshëm të mbrojnë Fatos Nanon apo Edi Ramën, edhe përkundër faktit që ata nuk kanë bërë asgjë për vendin e tyre, duke pranuar të mos kenë as bukë, as ujë e drita në këmbim të solidaritetit politik, apo edhe demokratë që mbrojnë me zell e histeri Sali Berishën edhe kur shpallet ndërkombëtarisht non grata, e madje edhe kur dalin qartazi skandale që tregojnë biznese të njerëzve të tij me qeverinë.

Militantizmi i verbër, i përkushtuar për më tepër ndaj forcave politike kaq të korruptuara, korrupton vetëdijen e vetë militantëve duke brendësuar masivisht tek ata krimin, korrupsionin, mashtrimin. Si mendësi të trashëguara nga komunizmi ato fortifikohen në kushtet e një politike tribale, konfliktuale e korruptive si ajo postkomuniste në Shqipëri, duke u bërë hermetike e agresive. Politika e mbërthyer në mendësi të tilla, e barrikadon jetën politike në një konfliktualitet, përtej nevojave të vendit apo qytetarëve, duke e mbyllur atë në interesat e luftës së vogël midis palëve që vret çdo lloj shansi për të krijuar frymë dhe potencial të aftë për zhvillim.

Zjarr Tv Ad