Nga Igli Tola, ekspert ekonomie
Në vend që të hynim në një fazë rimëkëmbjeje pas pandemisë, ekonomitë tona përjetuan valën e pasojave të luftës në Ukrainë, shpërthimeve të reja të COVID-19 dhe bllokimet në shumë nga qendrat kryesore industriale.
Dihet se përtej ndikimit të menjëhershëm humanitar e sanitar të konfliktit dhe pasojave të vazhdueshme shëndetësore të mbarsura nga pandemia, ekonomia dhe mirëqenia e njerëzimit do të cenohej në afatgjatë. Kjo ka reflektuar në rishikimin me rënie të perspektivave të rritjes ekonomike dhe ka ashpërsuar presionet inflacioniste mbi mallra e shërbime, kryesisht furnizimet ushqimore.
Ndikimi i kombinuar i këtyre goditjeve nënkupton një vëmendje me fokus të vazhdueshëm në menaxhimin e krizës, një rrezik të lartë nga pasojat dytësore të saj dhe një dekurajim të investimeve private e publike.
Në fillim të këtij viti, prognozat e institucioneve ndërkombëtare jepnin shpresë që ekonomitë më të mëdha botërore të ktheheshin në nivelet e rritjes para COVID-it deri në fund të 2022, të udhëhequra nga Kina, BE dhe SHBA. OECD fliste për një rritje globale 4.5%, ku edhe vendet si i yni, me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të arrinin një nivel rritjeje të parashikuar afro 5.5% deri në 2024. Pritshmëria ishin edhe që inflacioni i lartë të ishte prezent për pak kohë, ku edhe pse do të shoqërohej nga një luhatje rritjeje në paga dhe vijim të fragmentimit global në një periudhë afatmesme, në afatgjatë situata do ti kthehej normalitetit.
Megjithatë, sot, teksa jemi gjashtë muaj më vonë, panorama makroekonomike është dukshëm e ndryshme. Shumica e studimeve të realizuara rishtazi flasin për një rritje të dobët në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Amerikën Latine, e ku edhe Europa nuk bën përjashtim. Paralelisht, pritet që paga mesatare reale të ulet akoma më tej në ekonomitë e zhvilluara dhe në zhvillim. Ky fakt bëhet më alarmant për vende si yni, ku rrezikohet shtimi i mëtejshëm i “armatës” së atyre që jetojnë me nën 5.5 dollarë në ditë. Nga pothuaj 1/5 e popullatës sonë totale (mbi 622 qytetarë) që ishin në 2021, këtë vit numri i të varfërve pritet të jetë dukshëm edhe më i lartë.
Teksa treguesit e mësipërm për një pjesë duken subjektiv e të paprekshëm, shqetësim direkt për cilindo qytetar janë çmimet e ushqimeve, energjisë; dhe ç’është më e frikshme mundësia për të pasur mungesa në raftet e marketeve për produkte te caktuara. Lufta vërtet zhvillohet në Ukrainë, por ka prodhuar pasoja me impakt të gjerë global. Në vitin 2021, 36 vende importuan më shumë se 50% të grurit të tyre nga Rusia e Ukraina, kësisoj në mars 2022, Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve, kalkuluar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë, arriti nivelin më të lartë që nga fillimi i tij, 1990.
Njëkohësisht, nënindekset e vajrave vegjetale, të drithërave dhe të mishit janë në nivelet më të larta historike të të gjitha kohërave, ndërsa çmimet e grurit parashikohen të rriten me më shumë se 40% deri në vjeshtë. Në tre vitet e ardhshme, ekspertët paralajmërojnë institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë e G7-tës për një pasiguri të lartë dhe krizë ushqimore në Amerikën Latine dhe Azinë Jugore, dhe një mjedis shumë të pasigurt në Afrikën Sub-Sahariane, në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Në raportin e fundit periodik të OKB-së, pohohej se një kombinim i rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë, ndikimi që ato sjellin në buxhetet publike, tashmë të tendosura dhe sforcuara në maksimum në shumë vende; mund të çojë në mungesa ushqimore dhe problematika me furnizimin me energji elektrike dhe të shkaktojë indirekt madje edhe konflikte civile e të armatosura.
Megjithëse ekzistojnë marrëveshje ndërkombëtare mbi sigurinë dhe furnizimin ushqimor, që nuk ka gjasa të preken nga SHBA apo Europa, por në mënyrë të njëanshme mund të shkelen nga palë të tjera. Si reagim ndaj rënies së ofertës globale, kufizimet e eksportit po ngrihen në emër të interesave kombëtare të shteteve.
Gjatë muajve të ardhshëm, sfida për sigurimin e bazës ushqimore do të jetë akoma më e madhe për shkak të mungesës në qasje në plehra kimik e organik, aq të rëndësishëm në prodhimin e shumicës së kulturave bujqësore në rajone të ndryshme. Rusia dhe Bjellorusia janë eksportuesit kryesorë të plehrave; duke zënë 38% të volumit total të plehrave potasikë, 17% të plehrave të përbëra dhe 15% të plehrave azotike.
Çmimet e plehrave janë rritur që nga marsi i këtij viti edhe me gati 20% dhe pothuajse tri herë krahasuar me një vit më parë. Për më tepër, tregje të tilla të përqendruara, si ai i grurit, gazit etj; nënkuptojnë se kur ndodhin kriza si lufta në Ukrainë, furnizimi global me mallra ushqimore mund të destabilizohet dhe humbas ekuilibrin shpejt, duke çuar në kosto të shumëfishuara. Për shembull, primet e sigurimit janë rritur shumë për anijet që operojnë në Detin e Zi, gjë që vetëm rrit më tej çmimet për mallrat final. Para pushtimit në shkurt, Ukraina shihej si “shporta e bukës” për botën, duke eksportuar 4.5 milionë tonë prodhime bujqësore në muaj përmes porteve të saj – 12% të grurit të planetit, 15% të misrit dhe gjysmës së vajit të lulediellit.
Por sot, me bombardimin e një pjesë të plantacioneve bujqësore dhe me portet e Odesas, Chornomorsk-ut të shkëputur nga linjat e komunikimit me botën nga prezenca e luftanijeve ruse, malli mund të vijë vetëm në rrugë tokësore, të cilat janë të mbipopulluara dhe shumë më pak efikase. Kështu, me të drejtë shumë vende po u drejtohen burimeve alternative, por ka kosto shtesë që lidhen me këto manovra gjeo-tregtare. Europa ose Lindja e Mesme që mbështeteshin pjesërisht në importet e ushqimeve ruse ose ukrainase, tani duhet të drejtohen papritur drejt tregjeve përtej oqeanit; nga Kanadaja, tek Argjentina ose Australia. Kjo do të sjelli domosdo çmime më të shtrenjta dhe vonesa në kohë, duke pasur parasysh distancën më të madhe për të përshkruar.
Që vjeshta mos t’i gjejë të “papërgatitur” qytetarët shqiptarë para një krize akoma më të thellë duhet të:
- Ofrohen ndihma adekuate humanitare dhe forma të tjera subvencionuese për më të prekurit, familjet e varfra.
- Mbahet i karikuar konsumi dhe rrjedha tregtare, me fokus të veçantë sidomos minimizimin e ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit, duke punuar paralelisht edhe në rrugë institucionale për eksplorimin e tregjeve alternativë efektivë.
- Forcohet transparenca e tregjeve. Për të minimizuar rreziqet e rritjes së çmimeve për shkak të spekulimeve dhe abuzimeve, qeveria duhet të jenë transparente në lidhje me ofertën e stoqeve, vlerësimet e prodhimit për mallrat kryesore etj.
- Inkurajimi i diversifikimit të importeve bujqësore dhe nxitja e prodhimit vendas. Një nga shtytësit kryesorë të krizës së sotme globale të ushqimit është përqendrimi i tregut dhe braktisja e doktrinës së vetëmjaftueshmërisë.