Kriza permanente e PD-së, si strategji i AliBashës

0
217
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Çim Peka

Në fushatën zgjedhore të vitit të shkuar, si Basha ashtu dhe Rama kishin kompani konsulence izraelite, dy kompani të dy ish-bashkëjetuesve: njëra për Ramën, tjetra për Bashën. Rezultati dihet!

Prej kohësh, por sidomos pas 6 Marsit, ata kanë një konsulent të përbashkët, të kudogjendurin, eminencën gri, “Kardinalin Richelieu” – quajeni si të doni, ai është Baton Haxhiu!

I ndodhur nën presionin e grupit parlamentar dhe rezultatit të zgjedhjeve të pjesshme dhe pas disa takimeve, Basha vendosi të kërkojë dhe pranojë, mendjen dhe strategjinë e Haxhiut, strategji që konsiston në këto pika:

1) krijimi i një gjendjeje permanente krize brenda PD;

2) tërheqja taktike e përkohshme si Kryetar;

3) caktimi i një Kryetari të përkohshëm, plotësisht i besueshëm;

4) edhe i larguar, duhet patjetër të ketë një trupë prej së paku 10 deputetësh si mbështetje për çdo gjë dhe për gjithçka;

5) me tezën e bashkimit, të mos lejohet bashkëpunimi me Foltoren, duke bërë të mundur humbjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2023;

6) pas humbjes, PD do të zgjedhë një Kryetar të ri në shtator të vitit 2023, moment i artë ky për rikthimin e Bashës;

7) duhet të synohet që në zgjedhjet lokale të shkohet pa Kryetar, me alibinë e bashkimit;

8) humbja në 2023-in sipas këshillave, e Berishës dhe Metës, do të sillte një situatë të ngjashme me zgjedhjet e 6 Marsit, veçse në këtë rast, në kah të kundërt, në favor të Bashës;

9) nëse Berisha dhe Meta do të dilnin së bashku në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, Basha me të vetët do t’i bashkohej Ramës në koalicion, në njërën anë Berisha dhe Meta – në anën tjetër Rama dhe Basha.

10) Kjo do të siguronte fitoren e koalicionit Rama – Basha dhe ky i fundit do të bëhej Zëvendëskryeministri i Ramës.

Që ky bashkëpunim të jetë solid dhe i qëndrueshëm, gjithmonë sipas Haxhiut lexo: Rama do të mbështetet si garanci nga një platformë e përbashkët ekonomike midis Ramës dhe Bashës, e cila konsiston në katër projekte të mëdha të përbashkëta (projekte ekonomike individuale, jo program qeverie) të cilat janë në fazën fillestare.

Këto projekte, do t’i shtjellojmë në detaje në ditët e ardhshme.

Po t’i shikosh lëvizjet dhe veprimet e Alibashës që nga 7 Marsi dhe në vijim, është e lehtë të gjesh të mishëruara, secilën dhe të gjitha pikat e kësaj platforme, duke filluar që me dorëheqjen e Bashës; komandimin e Alibeajt si Kryetar; përpjekjet e Bashës për të dalë në terren për t’u takuar me bazën (gjë që nuk e bëri as në fushatën e zgjedhjeve të pjesshme); padinë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit për regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit; kërkesat për tërheqjen e Berishës; të ashtuquajturën “platformë” të Alibeajt; kërkesën për drejtimin e partisë në mënyrë kolegjiale deri në zgjedhjet lokale; kërkesën për pezullimin e procesit të zgjedhjeve në bazë; thirrjet e përbashkëta të Ramës dhe Bashës ndaj SPAK për hetimin e Berishës; të ashtuquajturin vendimin e Alibeajt “për ripranimin” e deputetëve të përjashtuar nga Grupi Parlamentar.

Leximi i lëvizjes politike të Alibashës është i qartë si drita e diellit, ashtu siç është e qartë që strategu i Bashës është vetë Rama nëpërmjet Batonit, ashtu siç është e qartë se tashmë jemi përtej argumenteve të non-gratas apo pro-amerikanizmit.

Veçse, kur shikon përfshirjen e Batonit, nuk mund të mos të vijë në kujtesë roli i tij i njëjtë si ndërmjetës midis Ramës, Vuçiç dhe Thaçit për ndarjen e Kosovës, as përbetimet e tij arrogante në pranverën e vitit 2019 se në qershor të atij viti do të kishte një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë për ndarjen e Kosovës; nuk mund të mos të të kujtohet as tersi i projektit me arrestimin e Hashim Thaçit në aeroport, rrugës për Uashington.

Batoni bën shumë plane, por diçka i ndodh rrugës dhe planet i prishen.

E ndjek tersi.

Zjarr Tv Ad