Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka sulmuar qeverinë nga Pogradeci, ndërsa është shprehur se fermerët vijojnë të kenë probleme me tregun e produkteve. Duke postuar një foto nga Leshnica e Pogradecit, e para e LSI-së tha se edhe pse lulet kanë çelur, mollët e fermerëve kanë mbetur stok.
“Nga Leshnica e Pogradecit, nga shtëpia e Nazime Çukës ju uroj një ditë të mbarë.Lulet kanë çelur, por mollët janë të pashitura. Edhe dhomat e shtëpisë janë kthyer në magazina, se ato janë të tejmbushura. Asnjë interesim nga qeveria për t’i kthyer në vlerë materiale mundin dhe djersën e njerëzve punëtorë dhe atdhedashës së Leshnicës.
Kryeministri i përshëndet me pamje nga Monako, ndërsa banorët e këtij fshati duan që prodhimet e tyre të mos kalben dhe t’i hedhin në kanale.LSI i ka prioritet fermerët shqiptarë. Ata japin 22% të prodhimit bruto të vendit dhe sot nuk marrin pas as 0.7% të buxhetit të shtetit.
Qeveria e Rilindjes prioritet ka PPP dhe oligarkët. Me shumë paguhen ata për punë të pa kryer, se sa ka subvencionime për njerëzit e punës dhe sakrificës”, shkruan ajo.