Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë, kryeministri Avdullah Hoti ka larguar nga detyra Drejtorin e Doganës, Ibrahin Xhaka dhe Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj. Vendin e Xhaka e ka marrë Bajram Rexha, ndërkohë që Murtezaj i lë vendin Ekrem Hysenaj.
“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në rekomandimet e Ministres së Financave, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka marrë vendim për t’i liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës”.
“Në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi, Kryeministri Hoti ka emëruar z. Bajram Rexha, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, dhe z. Ekrem Hysenaj ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeministrisë kosovare.
Sipas asaj që raportojnë mediat kosovare, vendimin e propozoi ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Ende nuk dihet arsyeja e vërtetë e këtyre shkarkimeve.