Ditën e sotme, Kryeministri i vendit Edi Rama, ka premtuar sërish nga Peshkopia 24 orë ujë për shqiptarët, teksa u shpreh se nuk është faji i tij që gjeti vendin pa ujësjellësa.
Duke deklaruar “në Shqipëri nuk po vdes njeri për bukë”, kreu i qeverisë krahasoi vendin me ato që i quajti “sheikët e bardhë të Evropës”, duke theksuar se në “Norvegji ka pasur zbrazje totale, uri reale”.
“Ne jemi sheikët e Evropës, sheikët e bardhë, Norvegjia ka pasur zbrazje totale, kishte uri, realisht uri. Jo si këta që nuk ia kanë idenë ku bie fshati dhe thonë po vdesin njerëzit për bukë. Është çështje e kapërcimit të nivelit, nuk jemi ende vend i zhvilluar, jemi ekonomi në zhvillim, prapambetja strukturore është e tmerrshme.
Ka disa që thonë “akoma për 24 orë ujë do flasim”. A është faji im, përgjegjësia sonë që e gjetëm këtë vend pa ujësjellës? Për ça të flasim, për satelitë? Nuk jemi magjistarë, as të pagabueshëm. Kush e di çfarë do më thënë puna, e di që gjërat bëhen hap pas hapi”.
“Në Burrel do ketë 24 orë ujë së shpejti. Faji ynë është që nuk ishte vendosur dorë kurrë? Dhe si mund të bëheshin të gjitha këto në kushtet për mandatin e parë ishte një gropë e madhe, e tmerrshme borxhesh. Në mandatin e dytë nuk morën dot frymë, pandemia, pastaj vjen lufta. Inflacioni është këtu, kriza e çmimit të energjisë shkaktuar nga lufta me qëllim”, tha Rama.
Kryeministri foli gjithashtu, edhe për zyrtarët e lartë që mund të jenë përfshirë në raste korrupsioni gjatë qeverisjes së tij.
Rama u distancua dhe tha se kush ka bërë korrupsion, do të marrë atë që meriton, ndërsa tha se kjo histori është e 5-6 viteve më parë, pasi sot tha ai është një qeveri e re.