Protestës së banorëve të 5 Majit, ku po shemben sot 3 banesa nga IKMT iu është bashkuar dhe deputetja e PD-së Dhurata Çupi. Ajo tha se shembjet dhe nxjerrja në rrugë e qytetarëve ka qenë një politikë e Edi Ramës, prej ditës kur ka ardhur në krye të qeverisë.
Sipas Çupit, PD po ndjek me shqetësim këtë situatë të krijuar në Tiranë. Deputetja u shpreh se sa herë që ka pasur zgjedhje banorëve u është premtuar legalizimi, dhe më pas ka ardhur shkatërrimi dhe prishja.
“Këta banorë sot janë nxjerrë në rrugë të madhe, ku do të qëndrojnë sot në darkë? Sa mbarojnë zgjedhjet Edi Rama nis shkatërrimin, është një rast i pastër abuzimi pasi banesat po shemben për të ndërtuar pallate”, u shpreh Çupi.
‘Kjo është një gjendje e padurueshme, ne jemi në krahë të qytetarëve, dhe do ti ndihmojnë edhe në të gjitha procedurat ligjore, këta banorë nuk kanë ku të strehohen. Banesat nuk janë legalizuar qëllimisht’, tha më tej deputetja e PD-së