Ku shkoi kurora e liderit global?

0
199
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ndriçim Kulla

Kemi sot një duartrokitje të hidhur për të gjithë lobuesit e zjarrtë sorosianë të Edi Ramës dhe një shpërfillje të pashembullt për të gjithë analistët, mediat dhe demagogët që jashtë çdo ndërgjegjeje profesionale dhe deontologjike e kanë mbështetur padrejtësisht për shumë vite, në kundërshtim të hapur dhe flagrant me faktet dhe intuitën që askujt nuk i mungon, kryeministrin tonë tashmë mjeran dhe të dënuar historikisht për t’u mbajtur mend si ai që korruptoi kryespiunin e USA.

Ku shkoi kurora e liderit global që “e bëri zap Rusinë” (u pika kujtdo që e nxori nga goja!), dhe që u mor në seancë dëgjimore nga FBI-ja në aeroport kur mbërriti në New York? Ku shkoi kurora e liderit global që kishte marrë përsipër të zgjidhte konfliktin e luftës në Ukrainë? Ku shkoi miti i rremë i liderit global që Zoti, gjoja, e kishte dërguar për të shuajtur zjarret nacionaliste të popujve të Ballkanit me krijesa të shpifura politike dhe levantine, si “Ballkani i hapur”, çka rezultoi në zbatim një disfatë tragjike për barkun e fermerëve shqiptarë, të konkuruar pa mbrojtje nga shteti prej të tjerëve.

Ku shkuan retorikat për shqiptarët e Kosovës, se do t’i pajtonte me serbët e Serbisë dhe serbët e të gjitha anëve? Në çfarë rezultati përfunduan? Në një tradhëti historike, me qëllim për të shkëputur veriun e Kosovës, duke bërë role protagonistësh politikë dhe në aktin tjetër më të turpshëm të vendosjes së embargos së Shqipërisë ndaj Kosovës, duke lënë mbrapa edhe popujt dhe shtetet që nuk renditen në dashamirësit e shqiptarëve. Ku shkuan fantazmat e liderit global të Sekretarit të Përgjithshëm të Natos, që përhapte poshtë e lart industrinë e intrigave të rrjetit mediatik sorosian?

Nga një lider global që do vendoste fatet e Ukrahinës, Kinës, problemet e Ballkanit Perëndimor dhe problemet e moszgjidhjes së Europës, sot ka rënë “zgjutë”, i fshehur dhe i vetmuar në emisionin “Sy m’sy”, me telefonin besnik dhe Facebook-un, që i është kthyer si gojë e çjerrë, duke i rënë tryezës së punës me grushta nga frika e së vërtetës që po e tmerron. A ka akoma gurë e rrugë shqiptare që nuk e mori vesh sot njëherë e përgjithmonë, që ky nuk është lider, por turpi historik i atdheut, që përveç opozitës paska shitur edhe naftën shqiptare tek ata që nuk ka guxuar askush në histori, pikërisht te rusët e Gazprom-it? A ka akoma njeri me mend në kokë, që mund ta mbrojë, përveç kur u ka mbyllur gojën me para, biznese apo pengje e kërcënime, që mund ta mbrojë gënjeshtrën e madhe me të cilën ai është fryrë si gjel ekraneve, se më të mirë se socialistët s’ka, se ne jemi të pathyeshëm në zgjedhje, se opozita është mjerane, s’ka program, s’ka ekip e ku di unë ç’tjetër gatuan propaganda e tij e fëlliqur?

Përse vallë, kur i kishte të gjitha këto, pse iu desh të korruptonte paturpësisht kryespiunin amerikan që në vjeshtën e 2017? Pse u desh që të burgosej kryetari i opozitës afërsisht një vit në prag të zgjedhjeve parlamentare? Pse u rrëmbye ish-presidenti Ilir Meta në mes të rrugës siç bënë dikur Brigadat e Kuqe ku rrëmbyen dhe pushkatuan kryeministrin italian Aldo Moro? Edi Ramës i është prishur tashmë ajo gënjeshtra e madhe me të cilën ka mbushur rrjetet sociale ndërkombëtare.

Paskërkemi rrojtur në një flluskë sapuni demokracie, që na paskërkan nxjerrë në pazar për të na grabitur me pengje e shantazhe çdo zgjedhje, çdo votë, që edhe fytyrën, nderin e dinjitetin na e kishin nxirë njëlloj si jetën? Nuk paskan të mbaruar bëmat e tij si një makiavelist i neveritshëm i pushtetit, derisa është bërë dy vjet më parë trendi nr.1 i kërkimit mbarë-botëror në Google, kur gjithë gazetat e Amerikës dhe botës krahas emrit McGonigal shihnin edhe emrin e tij të padëgjuar! Ia doli të bëhej një “lider” i korruptimit të shekullit, ndaj unë në librin tim “Narkodiktatura shqiptare në oborrin e Europës” nuk dija fillimisht se në cilin rreth të ferrit t’i vendosja mëkatet e tij zemëdha.

Janë pak për mua 9 rrathët e ferrit ku e ke zhytur Shqipërinë, por do rishkruar “Komedia Hyjnore” veç për të, se ai na doli i tëri një ferrë i vërtetë. Po në gjithë këtë ferr korruptimi kundër opozitës dhe pasurive të vendit, ku është drejtësia, ku është SPAK-u, a ka më fytyrë të ekzistojë ky si një organ drejtësie, kur ende nuk merr të pandehur kryeministrin, tanimë të pandehur në tokën e lirisë dhe drejtësisë? Ku janë tani, si mund të fshihen e të bëhen të shurdhër të gjithë ata ambasadorë e diplomatë që na kanë dërdëllitur për vite të tëra ekraneve gjëra të padrejta, të pandershme dhe korruptive? A mund të fshihet kush si struci?

Që sot e tutje kurrë më, që sot e tutje miti i ndershmërisë intelektuale dhe institucionale ka rënë, që sot e tutje vetë populli duhet të kërkojë drejtësi në derë të SPAK-ut, sepse drejtësia amerikane ka folur, kryespiuni i FBI-së ka pranuar dhe gjykata i ka kryer aktin e dënimit.

Të gjithë tellallët dhe lëpirësit e monarkut të heshtin e të pushojnë, për hir të Zotit, veç një herë, se mëkati ndërkombëtar i padronit të tyre ka marrë dheun dhe era e tij po qelb gjithë globin. Nuk ia dilni dot, që sot e tutje, pasi ju jeni bërë mjeshtra të lavazhit brenda Shqipërisë, kurse në kongresin amerikan dhe drejtësinë amerikane nuk ka Soros që ju mbron më, sado ta quani si zot të gjithëpushtetshëm. Zoti i vetëm, Zoti i universit, e do Shqipërinë dhe po vë dorën në plagët tona më të mëdha që mbajnë emrin: Edi Rama!

Zjarr Tv Ad