Kujdes në kufi, nuk do kontrollojnë më policët, ja si do zbulohen ata që gënjejnë

0
110
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ai që do të dojë të hyjë në BE, në të ardhmen nuk do të takojë në kufi një njeri prej mishi e gjaku, por një nëpunës policie të krijuar nga kompjuteri – ky është plani. Avatari do të verifikojë nga njëra anë dokumentet e udhëtimit, si pasaportën e udhëtimit, vizën dhe dëshminë për mjetet e nevojshme financiare. Nga ana tjetër ai do të bëjë pyetje si nëpunës dogane, si për shembull për përmbajtjen e valixhes ose shkakun e udhëtimit. Përgjigjet do të regjistrohen nga një kamera dhe do të analizohen. Një program kompjuterik i ri do të jetë në gjendje që të dallojë në shprehjet e fytyrës të të intervistuarve, nëse ata thonë të vërtetën.

Nëse programi mendon se udhëtari thotë të vërtetën, kontrolli pasues nga një nëpunës i vërtetë kufiri është i shkurtër. Përndryshe verifikimi që pason është i gjerë. Vitin që vjen, programi kompjuterik do të testohet në kalime të veçanta kufiri në Hungari, Letoni dhe Greqi.

Nëpunësi i kufirit që përfaqësohet nga kompjuteri duke përfshirë një test automatik për gënjeshtra,  është pjesë e projektit kërkimor iBorderControl, në të cilin ndër të tjera bashkëpunojnë policia hungareze, mbrojtja letoneze e kufirit dhe Leibniz Universität Hannover. Synimi është që kontrollet në hyrje të BE të përshpejtohen dhe të bëhen më të sigurta. Çdo vit në BE hyjnë 700 milionë vetë, tendenca është në rritje. Migrantët dhe kriminelët që duan ta kalojnë ilegalisht kufirin synohet që të konstatohen më lehtë përmes sistemit.

“I diskutueshëm nga ana shkencore”

Ekspertë të pavarur dyshojnë se ky projekt që kushton 4,5 milionë euro do të ketë sukses. Nuk ka dëshmi shkencore që në shprehjet e fytyrës dhe në mimikë mund të dallohen gënjeshtrat, thotë Bennet Kleinberg. Ai është profesor në Institutin e Shkencave Kriminalistike në University College London. Me teknikën e përdorur mund të konstatosh vetëm nëse njeriu është në stres apo jo, thotë ai.

Stresi shpesh është i pashmangshëm në rrugë, për shembull kur do të arrish një fluturim në vazhdim, ose kur ke fëmijë të vegjël me vete, thotë Kleinberg. Kjo sjell me vete rrezikun, që shumë njerëz t’i akuzosh si gënjeshtarë në kufi dhe t’ua nënshtrosh kontrolleve më të imëta, megjithëse i kanë dhënë përgjigje të sinqerta avatarit. Në një test me 30 testues, programi dalloi vetëm 76 përqind të gënjeshtrave.

Problemi kryesor është aspekti etik i komunikimit midis njeriut dhe robotit, thotë profesorja e shkencave juridike në Universitetin Leibniz Hannover, Tina Krügel. “Kur një person pyetet nga një avatar, ai ndodhet në një situatë të panjohur për të. Ka rëndësi që një nëpunës kufiri të mund të reagojë si duhet ndaj personit dhe të mbajë parasysh sfondin kulturor”, thotë ajo.

Pjesëmarrja në test është vullnetare. Në fund rezultatet do t’i përcillen Komisionit Evropian, që do të vendosë nëse detektori do të bëhet pjesë e procedurës së hyrjes në BE.

 

Zjarr Tv Ad