Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë masën e arrestit me burg për shefin e Komisariatit, Agim Basha, ndërsa i është hequr arresti me burg policit Kujtim Spahia.
Dy policët e tjerë Ferdinand Xhepa dhe Shkëlzen Ibaj do të hetohen në gjëndje të lirë. Ata u ndaluan pas lirimit të të akuzuarit si trafikant të drogës, Naser Gashi.
Gashi u arrestua mbrëmjen e 17 tetorit 2018 së bashku me shokun e tij Roni Mani, të cilët po kalonin drejt Kosovës. Pas verifikimeve, Gashi është liruar edhe pse rezultonte person i dënuar. Ky fakt ishte zbuluar gjatë kontrollit të gjurmëve të gishtave në vijën e dytë të pikës kufitare.
Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda vijojnë hetimet për të sqaruar pozitën e punonjësve të tjerë të Policisë dhe të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.