Reshjet e borës që nisën me intensitet pas mesnate u shtua gjatë mëngjesit të sotëm.
Bashkia e Kukësit njoftoi se trashësia arriti në 10 cm në qytet e më shumë se 30 cm në zonat malore.
Parashikimet e motit sipas Institutit të Gjeoshkencave bëjnë të ditur se reshjet e dëborës do të jenë prezente edhe në 24 orët e ardhshme.
Situata e rrugëve paraqitet e tillë:
Rrugët e njësive administrative Ujmisht, Bicaj, Malzi, Shtiqën, Tërthore, Kolsh, Surroj, Topojan, Zapod e Shishtavec, janë të kalueshme, një pjesë e të cilave nevojitet perdorimi i zinxhireve.
Të bllokuara mbeten rrugët e brendshme që lidhin fshatrat me njësitë administrative Grykëcaje, Bushtricë dhe Voren – Kalis.
Gjatë orëve në vijim, si pasojë e reshjeve mund të krijohen probleme edhe në zona të tjera të bashkisë, ndaj u bëjmë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet e panevojshme.
Është bërë furnizimi i rregullt me lëndë djegëse në shkolla.
Mësimi ka nisur normalisht në pjesën më të madhe të shkollave, ndërsa në njësinë administrative Kalis mësimi zhvillohet me orë të reduktuara.
Furnizimi me energji elektrike vijon te jetë normal, përjashtuar lagjen Neçe në Surroj, dhe një defekt te riparueshëm në Malzi.
Të gjithë ujësjellesat në territorin e Bashkisë Kukës po funksionojnë normalisht dhe furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, përjashtuar një defekti në tubacionin ujësjellësit te fshatit Çinamakë në Surroj.
Mjetet borëpastruese kanë vijuar punën në terren në qytetin e Kukësit, dhe gradualisht në vartësi të kushteve do të ndërhyet edhe në njësitë administrative që kanë probleme.
Gjatë ditës së djeshme deri në mbrëmje është punuar në njësinë administrative Zapod, dhe janë hapur rrugët e fshatrave Orgjost, Pakisht, Kosharisht, Zapod e Orçikël.
Është shpërndarë skorje edhe në rrugët e njësisë administrative Topojan.
Shtabi i Emergjencave në Bashkinë e Kukësit dhe grupet e punës në terren janë në gadishmeri të plotë dhe në koordinim me institucionet e tjera.