Kulisat politike/ Si po luan Veliaj nën hijen dhe brenda pushtetit të Ramës…

0
78
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të gjithë ata që e shohin Edi Ramën duke e tallur në publik kryebashkiakun e Tiranës, duke e trajtuar herë si bojaxhi që duhet të lyejë muret e pallateve dhe herë si ndihmës të fshatarit nga Baldushku që i ka humbur lopa, i ngatërrojnë këto mesazhe prej Kaligule, me rolin dhe peshën reale që kryeministri i ka dhënë Erionit. Për shkakun se mbështeten nga të njëjtët oligarkë që po ndërtojnë në Tiranë dhe nga të njëjtat grupe mediatike, Rama dhe Veliaj janë në fakt të pandashëm. Ata e kanë fatin të lidhur me njëri tjetrin përtej asaj që duket nga përdhunimi publik që lideri i bën lakeut të tij.

 Ashtu si Lapsi.al e nënvizoi në një shkrim të mëparshëm (poshtë) Veliaj është i vetmi rilindas, përpos kryeministrit dhe Fatmir Xhafës, që është hartuesi dhe zbatuesi i reformës në drejtësi, që ka një pushtet të pakufishëm mbi prokurorinë dhe gjykatat. Ai është po ashtu i vetmi socialist që ka një minigrup parlamentar me njerëzit e tij brenda grupit të madh të PS-së.

Ai është po ashtu i vetmi që po farkëton marëdhënie solide ndërkombëtare jo vetëm me ambasadorët e akredituar në Tiranë. Ndoshta qe rastësi, por ai u gjend në Uashington në Departamentin e shtetit, nga ku publikoi foto me Palmer, vetëm pak ditë para se nga ky institucion të vinte nënshkrimi i Blinken për shpalljen “non grata” të Berishës. Ky akumulim pushtetesh dhe kjo forcë që vjen nga paratë që qarkullon dhe nga Bashkia që drejton, ka filluar të duket gjithnjë e më shumë edhe në gjuhën që përdor Erion Veliaj. Ai ishte dje në News 24, ku në një intervistë rutinë, foli me sigurinë dhe tonet e një delfini të Ramës. Ndonëse në PS nuk e bën askush tjetër, ai i la të drejtë vetes të projektonte mënyrën se si do të formohet qeveria e ardhshme, se kush do të bëjë pjesë në të, se si do të sillet mazhoranca me opozitën dhe se ç’do të bëjë qeveria me teatrin.

Megjithëse nuk është fare pjesë e qeverisë, si anëtar kryesie i PS-së, ai i lejoi vetes të flasë për kabinetin Rama 3: “Do të shihni shumë të reja, edhe në nivel drejtues e teknik” tha ai.
Ai “guxoi” të bëjë edhe profetin e presidentit të ri: “Nuk marrim gjithçka. Aty ku ka diskrecion për figura përbashkuese, qoftë me bindje të djathta, si propozim i përbashkët dhe unifikues, do të ishte një shtrirje dore për opozitën”. Ai foli po ashtu edhe për valën e fundit të arrestimeve nga SPAK duke e barabitur veten në një nivel me Ramën: “Sot, Kryeministri, kryetari i bashkisë, s’i bën mburojë askujt që ka shpjegime përpara drejtësisë. Me Edi Ramën jemi në të njëjtën linjë për t’i kërkuar secilit që batanija e partisë, bashkisë apo Kryeministrisë të mos e përdorë kur vjen puna për të dhënë llogari përpara ligjit. Unë besoj se ky do të jetë lajtmotivi i qëndrimit tonë si PS, që na diferencon nga të tjerët” theksoi ai në intervistën me Ola Brukon.

Tani gjithsekush që e ndjek politikën e ka shumë të lehtë të krahasojë nëse ndonjë socialist tjetër, përpos Ramës, e ka lirinë dhe vetësigurinë për të folur me tone të tilla lideri? Veliaj prej kohësh e ka bërë diferencimin nga grupi i rilindasve të tjerë dhe pavarësisht nga armiqësitë që ka akumuluar me shumë nga ish-ministrat e qeverisë Rama 1, pavarësisht nga animoziteti që ka ngjllur në rrethin e gushtë të familjes kryeministrore, pavarësisht nga shkopijtë nën rrota që reken ti fusin anëtarë të kabinetit aktual si Balluku, ai është pozicionuar dukshëm në rolin e pasardhësit. Strategjia e tij tashmë është e lexueshme në kërkim të vendit të Ramës në parti dhe qeveri. Dhe pavarësisht nga talljet apo telendisja publike që i bën shefi i madh, kjo nuk mund të arrihet pa lejen e tij.

©Lapsi.al

Zjarr Tv Ad