Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi, mori pjesë në ‘Akademinë e Vjeshtës për Gratë Udhëheqëse’ të organizuar nga EPP Women.
Si zëvendëspresidente e zgjedhur e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane PPE, forumit më të madh të Gruas te partive europiane të qendrës së djathtë, Vokshi drejtoi një nga sesionet kyçe të akademisë mbi pasojat e luftës në Ukrainë në persepektivën e grave.
Takimi dyditor, i mbajtur në Rumani, kishte në fokus barazinë gjinore, të ardhmen e gjelbër dhe dixhitale, të cilat janë prioritete kryesore për Bashkimin Europian.
Për Europën është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jenë përfituesit kryesorë të zhvillimeve të vrullshme teknologjike.
‘Dy ditët e fundit bëmë një punë shumë të mirë me EPP Women për të kuptuar ku qëndron dhe çfarë do të bëjë organizata jonë për të çuar përpara barazinë gjinore në këtë situatë sfiduese në Europë. Gjithashtu, qëllimi ynë është të bëhemi një urë e sigurtë mes rininë dhe një të ardhmje të qëndrueshme e të paqtë. Kur gratë bashkohen për të rinjtë, jemi të pandalshme’– u shpreh zonja Vokshi në cilësinë e zëvendëspresidentes së EPP Women.
Të rinjtë shqiptarë ishin pjesë e mesazhit të saj nga forumi europian i grave.
‘Në mungesë të mundësive dhe shpresës, të rinjtë shqiptarë shohin largimin nga vendi si mundësinë e tyre të vetme për një jetë më të mirë apo për të prosperuar. Partia Demokratike është e gatshme të bëjë gjithçka për të ndryshuar këtë gjendje nga keqqeverisja 9 vjeçare dhe të rikthejë shpresën për rininë. Së bashku mund t’ia dalim’- ishte mesazhi i zonjës Vokshi.
Në Akademinë e Vjeshtës të EPP Women mbajtën fjalime për këto çështje komisionerja Europiane për Inovacionin, Rininë dhe Sportin, Marita Gabriel; zëvendës presidentja e Komisionit Europian, Dubravka Suica; Presidentja e EPP Women, Rozalia Biro; Presidentja e Nderit të EPP Women, Doris Pack si dhe gra të tjera me ndikim në jetën politike europiane.