Fjalët që u konsideruan më tronditëse në kryesinë me dyer të mbyllura te Partisë Demokratike ishin ato të nënkryetarëve Duma dhe Alibeaj për shkatërrimin e partisë, nëse ky ishte momenti, duke i dalë në mbrojtje Lulzim Bashës për Kuvend më 18 dhjetor.
Por Grida Duma tha në A2 CNN se e ka përdorur fjalën shkatërrim, por nuk e ka pasur për partinë. “Nëse nuk duam që këtë parti, për hir të interesave tona të vogla personale, ta kthejmë në parti garuese, në parti që fiton, jo në parti që mban shtizën, ne nuk e meritojmë të rrimë këtu dhe le të shkatërrohet kjo, pra le të shkatërrohet ajo kryesi, jo le të shkatërrohet partia”, tha Duma në emisionin Debat nga Alba Alishani.
Mbështetësi i Sali Berishës në kryesi, Flamur Noka, hodhi poshtë pretendimet e nënkryetares, duke kërkuar zbardhjen e regjistrimit të mbledhjes. “Ajo që po ju them unë është kjo kemi qenë 38 anëtarë kryesie, Basha pretendon se regjistron çdo gjë me audio të nxjerrë audion në rast se nuk është thënë kjo. Të njëjtin perifrazim dha edhe nënkryetari tjetër (Alibeaj)… Këta tregojnë një mentalitet bolshevik”, tha Noka.
Debatet e kryesinë e PD erdhën pasi kryetari Basha propozoi datën 18 dhjetor për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, duke mos njohur datën 11 të thirrur nga 4200 delegatët, firmat e të cilëve Sali Berisha thotë se janë në zyrën kryetarit të Këshillit Kombëtar të Partisë të hapura për çdo verifikim nga zyrtarët e tjerë të partisë.