Lefter Maliqi, do të kandidojë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në zgjedhjet e 25 Prillit. Këtë lajm, e ka bërë me dije vetë ai nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale. Maliqi shkruan se; ka kërkuar të jetë i fundit në listë, për t’i dëshmuar të gjithëve sa mbështetje ka në qarkun e Beratit.
Ai thotë se; nga sot është zhvendosur në qarkun e Beratit si koordinator politik i fushatës, për Bashkitë Kuçovë dhe Ura Vajgurore për të startuar fushatën, duke shprehur bindjen se do të fitojë tre mandate dhe opozita e bashkuar do të kthehet me fitore.
Lefter Maliqi, ka qenë deputet në Parlament që prej vitit 2005-së. Ai ka përfaqësuar në Kuvend LSI dhe më pas Partinë Demokratike. Maliqi ishte në listën e deputetëve që nuk pranuan të djegin mandatin, pas vendimit të opozitës për të dalë nga Kuvendi.
“VENDIMI IM PËR POZICIONIMIN POLITIK NË ZGJEDHJET E 25 PRILLIT! Të dashur miq! Pasi ju bëra me dije që në Dhjetor 2020, që do të bëja një shkëputje nga protagonizmi im në media, derisa të vendosja pozicionimin tim politik zgjedhor, tashmë rimarr komunikimin tim intensiv me ju me një VENDIM.
Të gjithë ju që më njihni, e dini mirë historikun e kontributit tim politik, dhe vitet e mia në shërbimin tuaj kanë dominuar krah forcës së cilës unë i bashkohem në këto zgjedhje.
Mora një kohë relativisht të gjatë për të vendosur, (vetëm pazaret bëhen shpejt), sepse jetoj dhe punoj vetëm me një qëllim: T’ju shërbej juve, interesit publik, në veçanti elektoratit tim në qarkun e Beratit.
Koha ime më e madhe kalon pranë bashkëqytetarëve të mi në Berat dhe vendimi im është reflektim mbi dëshirën dhe mendimin e tyre.
Pakënaqësia e tyre dhe ajo e bashkëatdhetarëve të tyre në të gjithë vendin, është e madhe dhe në këto kushte, unë ndjej detyrimin për t’i dhënë shpresën për ndryshim, për të cilën kanë nevojë më 25 Prill.
Kam qenë, jam dhe do të jem zëri i tyre, opozitari i çdo Qeverie, sepse qëllimi im nuk është pushteti (ndryshe do kisha qëndruar me pushtetin kur kam pasur rastet), por është përfaqësimi dinjitoz i atyre që më votojnë me symbyllur.
Nga sot, unë zhvendosem me kohë të plotë pranë elektoratit tim në qarkun e Beratit, si Kordinator politik i fushatës për Bashkitë Kuçovë dhe Ura Vajgurore, për një fushatë që do ngjizë ndryshimin e madh, të cilin shqiptarët e kanë jetik.
Kam kërkuar që të jem në fund të listës, numri 7, për t’ju dëshmuar të gjithëve, se sa mbështetje gëzoj në qarkun e Beratit.
Ky është bast moral dhe publik! Unë, Lefter Maliqi, rreshtohem krah partisë që ka kërkuar gjithmonë sistem dinjitoz zgjedhor dhe integrimin e vendit ne BE, këtu e shumë vite më parë, në sinkron të plotë me parimin tim dhe dëshiren e Shqiptareve.
Unë votohem dhe votoj, bashkë me ju, për LSI-në, dhe fitojmë 25 Prillin, me dhe për shqiptarët! Ju garantoj se ekipi i LSI-së në Qarkun e Beratit do fitoj 3 mandate, dhe opozita e bashkuar do të kthehet me fitore!”, kështu shkruan Lefter Maliqi.