Nga Avni Nezaj
U këputen në mes rrjetet prej klikimeve tek butoni i gishtit të madh pas thirrjeve me video, me audio, me tekst, të disa personave publikë që reklamonin punën e Erion Veliajt në drejtimin e bashkisë së Tiranës. Mesazhe prekëse, domethënëse, rrëqethëse, mallëngjyese. Ta thyenin shpirtin. Të fusnin në mendime. Nga këto munda të kuptoj edhe më mirë dhe më qartë se sa shumë ka ndryshuar Tirana. Kjo e imja.
Po, Tirana ka ndryshuar, tani nuk ka Teatër Kombëtar. Është i vetmi kryeqytet evropian pa Teatër Kombëtar.
Po, Tirana ka ndryshuar, nuk ka parking publik, tani është e lehtë të gjesh parking me pagesë. Ndryshim që ul shpenzimet për qytetarët ky!?
Po, Tirana ka ndryshuar, ujin që e paguanim dikur 700 lekë me faturë, tani e paguajmë më shumë se 2200 lekë. Edhe ky ndryshim në ndihmë të qytetarëve është, që nuk kanë ujë në shtëpi as të papijshëm.
Po të dashur VIPE dhe VIPA, Tirana ka ndryshuar, pluhurin që thithim me ndotje kancerogjene e kemi dhuratë nga bashkia. Në asnjë vend të botës, bashkia nuk u nxin jetën qytetarëve. Në Tiranë po.
Po, Tirana ka ndryshuar të nderuar e të respektuar VIPA dhe VIPE, që u bie ndonjëherë të kaloni nga zonat VIP të aeroportit tek zonat VIP të kryeqytetit e pa pasur kohë as të hidhni sytë mbi kazanët e plehrave që “ndahen” mirë, e ikni sërish nga qielli për në parajsat tuaja.
Pse nuk bëni një vizitë tek inceneratori i Tiranës që të kuptoni mrekullinë si vidhen paratë e shqiptarëve. Por ju nuk e dini se sa mirë jetojmë ne. Mund të bëni ndonjë kërkesë që Veliajn t’ua sjellin kryetar edhe në ato qytetet ku keni rezidencat e tjera të qëndrimit.
Po, kryeqyteti im ka ndryshuar shumë, kishte edhe shtëpi të bukura tironse me pus në oborr, tani nuk janë më. Tani kemi kullat, pus i zi.
Po, Tirana ka ndryshuar. Tani nuk ka qendër, ka vetëm anësore prej betoni. Edhe lulet nëpër vazo mbillen, se tokë nuk ka më. Ky është ndryshim i madh edhe cilësor edhe sasior, apo jo të ndritur VIPE dhe VIPA? Pse nuk e thoni në mesazhet tuaja ku na kërkoni të votojmë këtë që bëri dasmë në kështjellë me paratë e fiqve. Se fiqtë kushtojnë shumë këtu tek ne. Nëse nuk i keni ngrënë nga Erioni, ua rekomandoj t’i hani të nderuar VIPA dhe VIPE. Sa më shpejt që të jetë e mundur.
Po, po, po, Tirana ka ndryshuar “miq” VIPA. Tani kur i afrohemi Tiranës në të gjithë drejtimet hyrëse, nga jugu, nga lindja, nga veriu, marrim masa mbrojtëse sepse mund të sulmohesh nga kafshët e egra. Pyjet orbitale e kanë bërë punën e tyre. Shtohen kafshët. Ato pyje duan.
Po more VIPA që këndoni, recitoni, bëni art, kuzhinë, qepje, qëndisje, aktrim, lustraxhiun, bojaxhiun, Tirana ka ndryshuar shumë. Po shumë fare. Trafiku, që edhe mund të ishte i menaxhueshëm, tani është prezent në çdo orë të ditës. Por kot ankohemi, ky trafiku të bën mirë. I fut një sy gjumë në makinë. Lexon ndonjë gjë. Ha edhe bukë që e ke marrë me vete për raste të tilla. Mund të bësh edhe njohje të reja, aty në trafik. E të thuash pastaj që ky ose kjo është mik ose mikeshë nga orët e trafikut.
Balta, që na merr malli për të. Është e pranishme nëpër rrugët e shumë lagjeve të Tiranës, të nderuar personalitete. Prandaj Tirana ka ndryshuar. Nuk na le pa baltë. E di, është më e ëmbël se mjalti. Prandaj…
Edhe tenderat e asfaltit elektoral nuk i morën ata që punojnë, por njerëzit e klanit të bashkisë ose VIP-ave. Prandaj ka ndryshu Tirana. Nuk është më ajo e para. Tiranë e artit e kulturës. Tirana e qetësisë dhe jetesës.
Por sipas VIP-ve, Tirana ka ndryshuar. Kur e sheh nga avioni edhe mundet. Po e vërtetë. Ajo zgjerohet çdo ditë. Por kujdesi i bashkisë për Tiranën që ndryshon vetë, ngushtohet çdo ditë.
Po, po se desh harrova. Tani kemi stadium me kullë. Së shpejti teatër me kullë. Do kemi edhe shkolla me kullë, kopshte me kullë, universitete me kullë. Fëmijët duhet të mësohen me lartësitë. Apo jo të nderuar shume VIPA dhe VIPE? Sidomos ata fëmijët që studiojnë me dy turne në shkolla.
Edhe ndonjë spital me kullë do ishte mirë. Mirë do ishte që këto pyjet e shumta orbitale, ose këto 1 milionë pemët e “mbjella” të zëvendësoheshin me kulla. S’kam gjë me kullat o ndërtues, por ato nuk duhet të shkatërrojnë Tiranën e vjetër, atë artistiken, atë pak që kishte mbetur, historinë. Apo jo të dashur VIPA artistë që nuk thatë një fjalë për teatrin. Apo ç’e duam. Kemi bashkinë e Erjonit. Në bashki përditë luhen tragjedi e komedi. Ka për të gjitha shijet. Mund të martohesh edhe në 3 të natës.
A e dinë këta VIPAT, që nuk u bie të ecin në këmbë nëpër rrugë, se po i kapi shurra në qendër të Tiranës vetëm ta bëjnë në brekë se nuk ka një banjo publike. E pra, Tirana ka ndryshuar. Edhe në kohën e mbretërisë, Tirana e kishte një shurrëtore publike.
Dhe pasi martuan me urdhër partie Luizin në tarracën e bashkisë, dje paskan nxjerrë Luizën të recitojë refrenin për “punëtorin” e Tiranës.
Po, po, të kudogjendshëm VIPA që më kërkoni votën për Erionin. Edhe unë si ju do bëj. Për Erionin do votoj. Por do votoj që ai të ikë se e ka përçudnuar kryeqytetin tim. Ai ka frikë nga qytetarët dhe ju nxjerr juve. Ja, kaq VIPA dhe VIPE. Dhe 14 maji më duket shumë larg.