Apel të fortë ka bërë sot në ditën Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, Presidenti i vendit Ilir Meta. Teksa thekson se kjo ditë e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias, Meta ben thirrje te forte per gjithe gazetaret te unifikohen në qëndrime.
“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias. Shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, për fatin e keq, vijojnë të hasin në vesh të shurdhët. Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante”, shkruan Meta.
Më tej ai shton se kjo situatë duhet të marrë fund, pasi media e lirë luan rol kyç për të garantuar llogaridhënien dhe mirëqeverisjen.
“Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Sepse çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë”.
Duke ju uruar këtë ditë,Presidenti Meta fton gazetarët pa humbur kohë të unifikohen në qëndrime, larg autocensurës, të denonconi hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës.
“Ndryshimi është në dorën tuaj dhe fillon nga përhapja e informacionit të vërtetë, pa pritur më që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste. Të dashur gazetarë që keni vendosur të mos tradhëtoni profesionin e misionin tuaj, jam pranë jush dhe sakrificave që bëni për të mbrojtur dinjitetin tuaj dhe fjalën e lirë! Ju do triumfoni sepse shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur Zërin e Amerikës apo Deutsche Ëelle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre.🇦🇱”, përfundon Meta.