E kaluara nuk e vendos të ardhmen, por diçka do të thotë. Në katër sezonet e fundit, ajo skuadër që ka dalë kampione e dimrit, ka fituar edhe titullin në Premier Ligë.
Mohamed Salahu, pra, është bërë si Babagjyshi i Vitit të Ri i Liverpulit, pasi me golin dhe asistin në “Molino” i dha jo vetëm fitoren 2-0 ndaj Uolvesit, por edhe kryesimin përfundimtar për 2018-n. Sulmuesi egjiptian ka 11 gola në kampionat dhe 14 gjithsej këtë edicion.
Salah shënoi golin e parë, pas kombinimit të Fabinjos dhe Sadio Manesë, ndërsa dha pasimin për rrjetën e dytë, realizuar nga Van Dajk. Liverpuli ka 48 pikë ndaj 44 të Sitit, që luan sot në fushën e vet ndaj Kristël Palasit. Trajneri Jurgen Klop, u shpreh me superlativa për atë që bënë lojtarët e tij. “Ne fituam me një futboll thuajse perfekt, – u shpreh ai, – pashë disa gjëra vërtet shumë të mira. Goli i parë ishte brilant, i dyti po ashtu shumë i mirë. U lumtë futbollistëve të mi, pasi nuk ishte një mbrëmje e lehtë për të luajtur futboll. Gjithsesi, është herët për të folur për titullin”.
Në stadiumin e Uolvesit pati reshje shiu dhe terreni nuk ishte në gjendje shumë të mirë për një ekip që kërkon të luajë shpejt. Skuadra e Klopit është e vetmja pa asnjë humbje në Premier Ligë, me 15 fitore e 3 barazime, kur është mbyllur gati gjysma e kampionatit. Një statistikë tjetër e ndihmon Liverpulin që të ketë besim, pasi në 9 sezonet e fundit, 8 herë është shpallur kampione, ajo skuadër që ka qenë në krye për Vit të Ri.