Policia e Londrës është në kërkim të një personi që besohet të ketë plagosur katër vetë në një seri sulmesh me thikë dje dhe sot në kryeqytetin britanik. Shërbimi Policor Metropolitan tha se dy viktima ishin në gjendje kritike. Zyrtarët kanë paralajmëruar se aktiviteti policor do të intensifikohet në zonën e Edmontonit në veri të Londrës, pas katër sulmeve, të cilat u zhvilluan natën e së shtunës dhe të dielën në mëngjes.
Policia thotë se sulmet nuk janë të lidhura me terrorizmin. Kryeinspektori Stuart Smiley thotë se viktimat “duket se janë zgjedhur rastësisht”, sepse ata ishin vetë dhe të pambrojtur. Sulmet ndodhën mes përshkallëzimit të veprimeve kriminale të kryera me ndihmën e thikave në Britani. Autoritetet kanë njoftuar se forca të policisë kanë marrë më shumë autoritet për të ndaluar dhe kërkuar të dyshuarit në një përpjekje për të frenuar sulmet e ardhshme.