Në 21 janarin e vitit të ardhshëm do të shfaqet sërish e njëjta skenë. Do të ketë një ceremoni përkujtimore dhe shumë karafilë të kuq, do t’i bëhet thirrje drejtësisë për të zbardhur krimin shtetëror të pushkatimit pa gjyq të katër qytetarëve shqiptarë dhe do të ketë një mori shkrimesh e qëndrimesh me protagonistë dhe protagonizëm formalisht korrekt.
Shumëkush do të kujtojë pafuqinë e Edi Ramës, tashmë dhjetë vjet kryeministër, për të gjetur dhe ndëshkuar fajtorët. Të tjerë do t’i shtojnë një peshë më shumë zhgënjimit mbi drejtësinë që nuk vepron.
Dhe të tjerë akoma, do të presin sërish 21 janarin e ardhshëm për të bërë adetin me akuza e karafilë, por duke vazhduar që të nesërmen jetën normale.
Në derën e gabuar nuk mund të trokitet gjithmonë. Kryeministri i këtij vendi, sido që të quhet, e ka të pamundur të vejë gishtin mbi cilindo emër si fajtor. Ai madje, do të duhej të fajësohej nëse do ta bënte një gjë të tillë. Shoqëria shqiptare e ka deleguar këtë të drejtë tek një tjetër pushtet që nuk ka të bëjë me “gjithëpushtetet e EdRams”.
Dhe këtu ka dy momente të rëndësishme që përfshijnë gjithë keqkuptimin dramatik që shoqëria shqiptare ka për këtë marrëdhënie pushtetesh. Edhe sikur idhujtarizmi dhe demonizimi në të njëjtën kohë i SPAK-ut të përmbushte çdo pritshmëri, sërish nga ky segment i drejtësisë dhe drejtësia në përgjithësi, në rastin më të mire mund të pritet vetëm një segment i të vërtetës dhe jo gjithë e vërteta.
Drejtësia mund të gjejë emrat që komanduan dhe mund të zbulojë duart e liga që ekzekutuan, mund të japë pak ngushëllim më shumë për familjarët e pangushëlluar të të pushkatuarve, mund të urdhërojë edhe kalbjen e tyre në qeli për të gjithë jetën, por kjo nuk mjafton. Nuk mjafton as identifikimi i zërave komandues në radio dhe as emri i atyre gardistëve që bërë shprepjet fatale.
Përtej tyre, shumë përtej tyre, dy njerëzit kyç të kësaj historie, Sali Berisha, ish-kryeministër dhe Lulzim Basha ish-ministër i tij i brendshëm, tashmë kanë marrë një ndëshkim të dyfishtë. Ata janë ndëshkuar politikisht dhe moralisht. Ata humbën në zgjedhjet e dy viteve mbas masakrës edhe për këtë arsye.
Ata do t’i ndjekë pas gjithë jetën ajo çfarë kanë bërë dhe dënimi i shumëfishtë që kanë marrë, do t’u shfaqet në mënyrat nga më të paimagjinushme dhe me pamjet nga më të papritura. Dera e tyre do të trokitet vazhdimisht nga karma për të kujtuar se në këtë jetë, të gjithë marrin atë që japin!
Qoftë njëri, qoftë tjetri, kasaforta njerëzore të asaj besëlidhje gjaku për të fshehur të vërtetën e asaj dite tmerri, tashmë janë armiq. Edhe më keq do të vëjë nesër për ta.