Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali me anë të një postimi në “facebook” ka reaguar në lidhje me deklaratën e kreut të PD zyrtare, Lulëzim Basha se McGonigali i cili është dënuar nga autoritet amerikane është i përfshirë edhe në cështjen e inceneratorëve dhe po ashtu është përdorur nga Rama për të dëmtuar kundërshtarin e tij politik.
Spiropali shkruan se Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut se “bomba McGonigal” në Amerikë do të hidhte në erë “regjimin mionist” të Edi Ramës në TIranë.
Postimi i plotë:
Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut se “bomba McGonigal” në Amerikë do hidhte në erë “regjimin monist” të Edi Ramës në Tiranë!
Por halle halle kjo dynja halli hallit nuk i ngja! Kështu, teksa Saliu u mbajt fort të mos binte nga ballkoni, kur “regjimi monist” i Tiranës në vend të bombës imagjinare mikpriti vetë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Lulëzimi u ngrit nga krevati për të thënë se gjykata amerikane e paskësh dënuar sipas tij Mc Gonigalin, duke e fajësuar se ka dashur të nxijë për llogari të Edi Ramës faqen e bardhë të bukuranit Lul!
Jo Lulëzim jo, asnjë lidhje s’kanë si zakonisht me realitetin ato që thua nga maja e krevatit në realitetin paralel ku ti vegjeton! Paratë ruse me të cilat financove çadrën e lirisë dhe e damkose PD-në në raportet serioze amerikane ishin para ruse, janë para ruse dhe do të mbeten para ruse!
S’ka ëndërr që të shpëton nga hija e atij pazari të pisët në dëm të Shqipërisë dhe s’ka shqiptar që të beson më kur zgjohesh nga gjumi.
Prandaj kthehu në anën tjetër e vazhdo fli dhe rrofsh që kur zgjohesh na bën për të qeshur, edhe pse demokratët i bën për të qarë kur u kujton se sa gjatë i mbajte peng në realitetin tënd paralel.