Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi thotë se Sali Berisha nuk ka arritur të mbledhë ¼ e firmave që nevojiten për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar. Në një deklaratë për media, menjëherë pas dorëzimit të 4,200 mandateve me firma në PD, Bardhi tha se Berisha u tall me demokratët dhe luajti bllofin.
Bardhi tha se është Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike që merret me organizimin e procedurave, ndaj sipas tij Berisha ka shkelur Nenin 47 të statutit. Sipas Bardhit, për faktin se Berisha s’ka arritur të mbledhë numrin e nevojshëm të firmave, i dorëzoi ato te Edi Paloka dhe kërkoi të mbahen sekrete gjeneralitetet e delegatëve.
Deklarata e Gazment Bardhit:
Ajo që tha sot nuk ka asnjë lidhje me statutin e PD, dhe funksionimin e PD. U provua që gjatë gjithë kësaj periudhe, Berisha ka luajtur një bllof të madh me demokratët, ai nuk ka arritur dot të mbledhë ¼ e firmave të anëtarëve. Nëse do të kishte arritur, ai e di mjaft mirë se ku dorëzohen firmat. Në fakt ajo që pamë sot është një tallje e madhe me demokratët. PD është një institucion që funksionon mbi bazën e statutit dhe ka rregulla të qarta. Është fyerje e rëndë që pretendon të mbahen sekretë anëtarët e Kuvendit Kombëtar. Nuk ka turp më të madh se t’i thuash demokratëve që të dhënat e anëtarëve janë sekrete. Mesazhi im është i qartë cilito që synon mbledhjen, do të duhet të ndjekë procedurën. Sali Berisha e di edhe më mirë procedurën e mbledhjes së institucioneve, nëse do t’i kishte firmat dhe nuk do të kishte luajtur bllofin… doli tha 70% e firmave, sot dolën e kanë deklaruar se janë mbledhur 60%. Procesi tregon që kjo ka qenë e gjitha një bllof dhe nuk është arritur mbledhja e firmave për të vënë në lëvizje procedurën për Kuvendin. Nuk ka Kuvend, ku mund t’i verifikojë? Sekretari i Përgjithshëm i partisë ka përgjegjësinë të organizojë. Ne e dimë se si është procedura, si verifikohen mandatet. Kuvendi Kombëtar ka më shumë se 7,600 anëtarë të tij. Ju e dini Sali Berisha nuk ka asnjë lidhje me këtë procedurë.
Zoti Berisha ka zgjedhur nenin 47 të statutit, që përcakton se është Sekretari i Përgjithshëm ai që merret me organizimin. Ju e dini mjaft mirë këtë.