Pandeli Majko duket se po e ndjen humbjen e socialistëve. Gjatë kësaj jave, ai ka bërë disa komente lidhur me “greminën” që i pret socialistët. Gjatë një interviste në Real Story, Majko i është kundërvënë edhe analistin pro-qeveritar, Baton Haxhiut.
“Batonit ia ka parë hajrin Kosova dhe nuk besoj se do bëjë ndonjë hajër të madh këtu duke komentuar apo nxitur historira të çuditshme brenda PS-së. Historitë e PS janë shumë të ndryshme nga të zotit Haxhiu. Kur dëgjoj këta tipa, më kujtohet një histori me mikun tim të ndjerë, Moikom Zeqo. Kemi qenë të ftuar në një konferencë ndërkombëtare. Pas natës së 2 a të 3, më troket Moikomi në derë, më thotë se kam parë një gjë të tmerrshme. Ajo që kishte ndodhur ishte se një nga intelektualët nga Kosova kishte pirë pak më shumë se sa duhet dhe kishte nisur të shante në serbisht, por zakonisht kur shan, shan në gjuhën e nënës. Kjo mu kujtua kur më përmende Batonin,” tha Majko.
Po çfarë tha Haxhiu për kulisat brenda selisë së PS-së, që “shqetësoi” Majkon? Haxhiu u shpreh se “të vjetrit” e PS-së ishin vendosur në fund të listave, për t’u ndëshkuar nga Rama.
Ndërkohë i ftuar në Dita Jonë në A2, Pandeli Majko, kandidati i 19 në listë i Partisë Socialiste në Tiranë për zgjedhjet e 25 Prillit, pranoi se ka votues të mërzitur nga PS dhe për këtë arsye tha ai, disa nga figurat e kësaj Partie janë vendosur të fundit në lista.
“Ne po shqetësohemi për njerëzit që na kanë votuar, por që për shumë arsye mund të jenë të mërzitur. Kjo është arsyeja që unë bashkë me kolegët e mi jemi vendosur të fundit, duke qenë të fundit në lista, mund të shikosh edhe greminën. Ne mund t’i fitojmë zgjedhjet, por edhe mund të mos i fitojmë zgjedhjet dhe ju nesër mund të më ftoni si një analist politik, jo si një deputet i kuvendit të Shqipërisë. Nuk po bëj shaka, përkundrazi po bëj aplikim që tani”, u shpreh Pandeli Majko.