Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, në intervistë me Skype me moderatoren Juli Krisafi në emisionin Ora 19:00 në Syri Tv, foli për situatën në Partinë Demokratike.
Manjani theksoi se Basha është kthyer në kamikaz, që kërkon të nxisë dhunë.
Ai shton se Lulzim Basha nuk është më kryetar i PD-së dhe se epoka e tij në politikën shqiptare ka përfunduar.
“Lulzim Basha nuk është më kryetar i Partisë Demokratike. Deputeti Basha synon ta bëjë bunker selinë e PD.Faktet që dalin në dritë nga dita në ditë, rezulton se Basha paska siguruar deri në tre breza me biznese, të lidhura me qeverinë. Vendit i duhet një opozitë e sigurisht që të gjithë i kanë sytë tek PD, për shkak edhe të traditës.
PD shiti opozitarizmin nën drejtimin e Bashës, sepse ai ka biznese në port, ka biznese gjithandej, kjo është fundi i gjëse e kjo është sfida. Shqipërisë i duhet një opozitë politike, që në të ardhmen të afërt të kemi qeverisje të mirë e mos kemi këtë qeveri moniste, në mes të pluralizmit. Kjo histori e një partie që qeveris akoma sikur jemi në monizëm nuk duhet të vazhdojë më.
Epoka e Bashës ka mbaruar. E di se ekzistojnë fjalë se çfarë do thotë ambasadorja amerikane, unë them që të thotë çfarë të dojë, sepse kjo nuk është punë e saj, por e demokratëve. Basha vazhdon të sillet si kamikaz e kamikazit duhet t’i jepet përgjigje. Rruga e Lulzim Bashës me PD është ndarë përgjithmonë, ai nuk ka të ardhme më në politikën shqiptare”, deklaroi Manjani.