Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është shprehur kundër qeverisë teknike, një nga kërkesat e opozitës për miratimin e reformës zgjedhore.
Përmes një postimi në ‘Facebook’ Manjani theksoi se mbetet kundërshtar i idesë që vendi të qeveriset nga qeveri teknike apo tranzitore, duke i cilësuar ato si masakra kundër interesit publik.
“Qeveritë teknike janë maska që mbulon fytyrën e shëmtuar të zullumqarëve politikë. Këta të fundit viktimizohen dhe lajnë duart nga përgjegjësia për ato që kanë bërë.”, shkruan Manjani. Ndër të tjera ai shton se në 30 vitet e fundit në Shqipëri, të gjitha gjëmat iu shkaktuan interesit publik nga qeveritë teknike apo tranzitore.
REAGIMI I MANJANIT
Qeveria teknike ide e gabuar.
=========
Mbetem kundërshtar i idesë që vendi të qeveriset nga qeveri teknike apo tranzitore.
Këto lloj qeverish janë kulmi i papërgjegjshmërisë politike. Janë masakër e interesit publik.
Një ekip pa identitet, pa asnjë mandat real përfaqësimi nuk kanë tagër të marrin vendime. Të paktën jo vendime demokratike. Edhe kur përmbajtja e vendimeve të qeverive teknike është më e mirë se e qeverive politike, prapë nuk e mbulon papërgjegjshmërinë.
Qeveritë teknike janë maska që mbulon fytyrën e shëmtuar të zullumqarëve politikë. Këta të fundit viktimozohen dhe lajnë duart nga përgjegjësia për ato që kanë bërë.
Në shumë raste lajnë dhe fytyrën përveçse duart e rikthehen prapë aty ku ishin me fytyrë në larë…
Qeveria teknike shpreh në thelb një paburrëri politike. Aspirantët për pushtet nuk ndeshen me demin, por me mullarin e kashtës. Politika ka një moment burrërie: ndjeshjen në një garë elektorale.
Sado e pandershme të jetë kjo e fundit, prap ndeshja është detyrë. Por duhet të ndeshesh me demin jo mullarin.
Kur mund demin e shijon fitoren. Pa dyshim fiton dhe demi, por gara mbetet. Demi e gjen fundin në një garë tjetër.
Në 30 vitet e fundit në Shqipëri, të gjitha gjëmat iu shkaktuan interesit publik nga qeveritë teknike apo tranzitore. Jetë njerëzish, pasuri, kohë e imazh të çmuar kemi humbur kur jemi qeverisur teknikisht apo përkohësisht…
Ndaj mbetem kundërshtar i idesë së qeverisë teknike.
Kjo vlen edhe për situatën aktuale. Në fakt qeveria aktualenë thelb është teknike, sepse në shumicë përbëhet nga njerëz pa identitet të formuar politik.
Të pa votuar që qeverisin edhe ata që u votuan. Pra në një konflikt të përhershëm. Opozita e sotme në fakt ka betejën politike vetëm me një njeri, atë që quhet ende formalisht Kryeministër. Ky i fundit duhet pranuar që është një manipulator i zoti i opinionit, votës dhe sistemit qeverisës.
Një njeri që për fat nuk është racional mjaftueshëm, të lante duart nga keqqeverisja e tij, duke krijuar një qeveri teknike…
Opozita e sotme duhet të ketë kënaqësi ta mundë këtë njeri brenda kafazit ku është vetmbyllur. Qeveria teknike vetëm e nxjerr nga kafazi dhe e bën më të rrezikshëm…
Ndaj ska kuptim braktisja e betejës me atë që sundon, për t’u ndeshur me maskat e tij tekniko tranzitore….