Në ditën e amnistisë, kur shumë të dënuar kanë fituar lirinë, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, kishte zgjedhur të gjendej pranë grave e vajzave që lanë qelinë në institucionin e vuajtjes së dënimit, 325 në Tiranë.
Ndërsa në të gjithë vendin po vijon normalisht procesi i lirimit të të amnistuarve, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ishte i pranishëm te burgu “Ali Demi” në Tiranë ku janë liruar 10 gra.
Me lule në duar ministri Manjani ka takuar gratë e liruara dhe në fjalën e tij para mediave u uroi të gjithë të liruarve nga burgu që ta shijojnë lirinë e fituar si dhe i bëri thirrje shoqërisë shqiptare që t’i mirëpresin ata.
“Të gjithë këta njerëz që dalin nga këto institucione ju siguroj që janë të riedukuar, që janë të mundur për tu riintegruar në shoqëri si njerëz të lirë, të cilët në rrethana të caktuara kanë qenë të detyruar të vuajnë dënimin për fajet që kanë bërë, po kjo nuk do të thotë që në pjesën e mbetur këta njerëz të konsiderohen me gisht. Nuk është sistem demokratik. Kjo është ftesa ime për gjithë shoqërinë shqiptare, ti mirëpresim këta njerëz”, tha Manjani.
Manjani tha po ashtu se Ministria e Mirëqenies Sociale do t’u krijojë grave dhe vajzave të dala sot nga burgu, mundësi për t’u përfshirë në tregun e punës, gjë që duhet ta bëjnë edhe bizneset private.
Ndërsa i pyetur për rastet e personave të dënuar që janë me sëmundje paliative, Manjani shprehu keqardhjen që nuk ishin pjesë e amnistisë, por tha se po shihen metoda të tjera ligjore për ti trajtuar rast pas rasti.
“Po, sepse ata që perëndia ua ka numëruar ditët besoj duhet të ishin pak më dashamirës, po shohim metoda të tjera ligjore për ti trajtuar rast par rasti pa cënuar familjet e tjera, se ka dhe familje viktimash në këtë histori”, u shpreh ministri Manjani.
731 të dënuar që kanë përfituar nga amnistia e qeverisë kanë lënë sot qelitë. Një pjesë e vogël e tyre janë në Tiranë, ndërsa numrin më të lartë e ka burgu i Fierit.
Sipas të dhënave nga 10 gratë që lirohen sot 6 prej tyre janë braktisur nga familjet.
Emrat e grave që lirohen nga Burgu 325 Tiranë
Leonora Zaçellari – e dënuar për plagosje
Lumturi Koli – e dënuar për drogë
Ina Dulaj – e dënuar për vjedhje
Vera Camaj – e dënuar për prostitucion
Uarda Çota – e dënuar për aksident
Anila Angjo – e dënuar për vrasje
Dallandyshe Kasaj – e dënuar për vrasje
Fatbardha Gjonaj – e dënuar për vrasje
Feruze Bregu – e dënuar për vrasje
Esmeralda Gaçi