Politika maqedonase ka hedhur hapin e parë drejt formimit të qeverisë së re. Presidenti Gjorge Ivanov i dorëzoi sot mandatin për përbërje të qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevskit, kryetar i partisë politike VMRO-DPMNE, kumtoi Kabineti i presidentit të Maqedonisë.
Gruevski do të ketë 20 ditë për ta krijuar qeverinë e re, një përpjekje që do të jetë shumë e vështirë për shkak të rezultatit shumë të ngushtë në zgjedhje, marrë parasysh se LSDM-ja e Zoran Zaev ka vetëm dy vende më pak në parlament se VMRO-DPMNE.
Mandatarit të ri i duhet t’i sigurojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve që nënkupton dhe pëfshirjen e partive shqiptare të cilat në parlament aktualisht janë të përfaqësuara me 20 deputetë.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka marrë 10 vende, Lëvizja Besa 5, Aleanca për shqiptarët 3 dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 deputetë.
Nëse Gruevksi arrin që të krijojë një qeveri si edhe në mandatin e kaluar me të njëjtin partner Bashkimin Demokratik për Integrim, të dyja partitë do të kishin 61 deputetë, që përbën një shumicë të vogël.
Qeveria, vlerësohet se do të ishte e paqëndrueshme dhe do të duhej që edhe një parti tjetër, në këtë rast shqiptare të bëhej pjesë e koalicionit. Analistët thonë se edhe nëse do të krijohet qeveria e re, zgjedhjet e reja të parakohshme janë të pashmangshme.