Kryeministrja angleze, Tereza Mej, pritet t’i kërkojë Këshillit të Evropës që ta zgjatë periudhën e shkëputjes së vendit nga Bashkimi Europian përtej datës 29 mars. Shkak për këtë është një bërë një deklaratë e kryetarit të parlamentit në lidhje me marrëveshjen aktuale për Brexit.
Kryeparlamentari Xhon Berkoi, duke cituar traditën parlamentare 400-vjeçare, tha se pakti me BE-në është kundërshtuar dy herë radhazi me shumicë votash në muajin janar dhe javën e kaluar, dhe nuk mund të paraqitet pa u ndryshuar në thelb.
“Po flitet se qeveria do të kërkojë një votim të tretë vendimtar për një marrëveshje e cila në datën 12 mars u rrëzua me 149 vota. Kjo nuk do të ishte e ligjshme. Mendoj se ajo që duhet bërë është të vihet në votë një propozim që nuk ka ngjashmëri me marrëveshjen e kundërshtuar, dhe që me gjasë ka miratimin e Bashkimit Europian,”-tha ai.
Kryeministrja Mej u kundërpërgjigj përmes zëdhënësit të saj se ideja e parashtrimit të marrëveshjes për Brexit është ende duke u diskutuar, porse shpjegimi i dhënë nga kreu i parlamentit do të trajtohet me seriozitet.
Tashmë Britania e Madhe përballet me opsionin e zgjatjes së Brexit dhe pjesëmarrjen në fushatën e zgjedhjeve parlamentare në BE, të cilat mbahen në muajin maj dhe pritet t’i kushtojnë vendit plot 100 milionë paund. Gjatë kësaj kohe, parlamenti do të duhet ta zgjidhë ngërçin duke u shprehur në favor të një referendumi të dytë për Brexit, për zgjedhje të reja parlamentare ose të dalë me një propozim bipartizan për Brexit.