Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrën e Belegut, duke e mos harruar edhe bilancin e frikshëm të të zhdukurve. Përmes një postimi në ‘Facebook”, Haradinaj thekson se nuk do të ndalet derisa të gjenden eshtrat e secilit njeri në Kosovë.
“E vërteta jonë janë varret masive në tërë Kosovën. Liria e atdheut tonë mban emrin e secilit nga martirët e Belegut dhe tërë Kosovës. Duke qenë se shumica e të vrarëve në Beleg konsiderohen të zhdukur të luftës kjo masakër e ka edhe dimensionin e saj më të dhimbshëm, sepse shumica nga 46 të ekzekutuarit nuk e kanë ende një varr të shënjuar në këtë tokë, për të cilën ata janë sakrifikuar.
Sot, njëzet vjet më vonë, ne e vazhdojmë betejën për zbardhjen e fatit të të gjithë martirëve dhe nuk do të ndalemi deri sa të gjenden eshtrat e secilit njeri të Kosovës, të vrarë në luftë”, ka shkruar Haradinaj.