Finalizohet operacioni policor i koduar “Kriptonite”, në kuadër të të cilit u arrestuan Kanan Hani dhe Kristjan Feçanji. Këta të fundit mashtronin shtetas grekë, duke iu marrë të dhënat e llogarive bankare dhe duke transferuar shuma parash nga llogaritë e tyre, në llogari të tjera të paidentifikuara, nëpërmjet agjentëve fiktivë.
Njoftimi i policisë:
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, i DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarive kriminale të mashtrimit dhe të pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe të punësimit të paligjshëm.
Mashtronin shtetas grekë, duke iu marrë të dhënat e llogarive bankare dhe duke transferuar shuma parash nga llogaritë e tyre, në llogari të tjera të paidentifikuara, nëpërmjet agjentëve fiktivë, vihen në pranga 2 shtetas.
Në subjektin tregtar të përshtatur për këtë veprimtarinë kriminale, ishin punësuar në mënyrë të paligjshme 7 shtetas.
Sekuestrohen 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, fatura fiktive, fatura transaksionesh bankare dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, pas një pune të mirëfilltë hetimore në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kriptonite”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-K. H., 31 vjeç, banues në Tiranë;
-K. F., 29 vjeç, banues në Korçë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 2, te bulevardi “Republika”, në Korçë, në një subjekt tregtar në pronësi të shtetasit K. H., kanë gjetur të punësuar në mënyrë të jashtëligjshme 7 punonjës, të cilët ishin të padeklaruar në organet tatimore.
Gjithashtu, nga këqyrja e pajisjeve kompjuterike të vendosura në këtë ambient, janë gjetur lista emërore me kontakte telefonike dhe foto të dokumenteve të identifikimit të shtetasve grekë, fatura transaksionesh bankare, fatura fiktive në kriptomonedha “Bitcoin”, adresa kriptovalutash etj. Nga verifikimet e kryera rezultoi se pajisjet kompjuterike përdoreshin nga këta shtetas, për të mashtruar shtetasit grekë, të cilëve iu merrnin të dhënat e tyre personale bankare, me të cilat ndërhynin në llogaritë e tyre, nëpërmjet agjentëve fiktivë, për të transferuar shuma parash në llogari të ndryshme të huaja, të paidentifikuara.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike, që përdoreshin në këtë veprimtari të paligjshme.
Vijon puna intensive hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara prej saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.