Mbështetësit e Julian Assange-it kanë mbledhur një ekip të fortë ligjor për të penguar ekstradimin në Shtetet e Bashkuara të themeluesit të faqes së internetit, WikiLeaks, pas arrestimit të tij në Londër javën e kaluar.
Mes tyre janë edhe disa avokatë, të cilët kanë mposhtur kohët e fundit përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ekstraduar hakerë të tjerë nga Britania. WikiLeaks, faqja e internetit që ka publikuar dokumente sekrete, duke e përqendruar më shumë vëmendjen tek Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, po mbledh fonde për të mbrojtur themeluesin e saj Assange, i cili kërkohet në Shtetet e Bashkuara për sulme kibernetike. Kërkesa për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara erdhi javën e kaluar pasi australianit 47-vjeçar iu hoq mbrojtja diplomatike nga qeveria ekuadoriane dhe policia britanike u ftua në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku ai po strehohej në shtatë vitet e fundit, për ta arrestuar atë.
Assange, i cili shihet nga mbështetësit e tij si një hero për nxjerrjen e sekreteve, por nga kritikët e tij si një vegël ose agjent i qeverisë ruse, në vitin 2012 u strehua në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur procedurat gjyqësore në Britani për ekstradimin e tij në Suedi, ku ai kërkohet nën akuzat për përdhunim dhe sulm seksual.
Mbrojtja e tij ligjore ndaj kërkesës për ekstradim në Sueid përfundoi në Gjykatën e Lartë të Britanisë dhe vlerësohet të ketë kushtuar rreth 20 milionë dollarë.
Analistët ligjorë thonë se ata presin që përpjekja e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, ndaj të cilit janë ngritur akuza në Amerikë se ka ndihmuar në mënyrë të paligjshme ish-analistin amerikan të zbulimit, Chelsea Manning për të vjedhur dokumente sekrete, mund të zgjasë deri në tre vjet për shkak të procedurave ligjore.
Ekipi mbrojtës i Julian Assange-it përfshin avokaten e njohur britanike për të drejtat e njeriut, Gareth Pierce, e cila ka mbrojtur edhe të akuzuarit për shpërthimet e IRA-s në vitin 1974 në qytetet britanike të Birminghamit dhe Guildfordit. Në mesin e avokatëve të tjerët mendohet se janë edhe Edward Fitzgerald dhe Ben Cooper, të cilët penguan ekstradimin nga Britania të hakerëve Gary McKinnon dhe Lauri Love. Ekstradimi i hakerit McKinnon u ndërpre nga ministrja e atëhershme e brendshme Theresa May, tani kryeministre, me arsyetimin se ai vuante nga sindromi asperger. Gjykata e Lartë britanike refuzoi ekstradimin e hakerit tjetër Lauri Love për arsye shëndetësore dhe mendore.
Një çështje ligjore që mund të jetë përcaktuese për kërkesën amerikane për estradim do të jetë vendndodhja e Julian Assange-it në kohën kur vjedhja e dokumenteve sekret nga amerikani Maning po ndodhte. Islanda, është vendi në të cilin thuhet se Assange ndodhej në këtë periudhë, dhe avokatët e tij ka të ngjarë të kërkojnë që ai të përballet me drejtësinë e këtij vendi.
Seancat për ekstradim nuk do të shqyrtojnë provat kundër tij, por do të vlerësojnë nëse krimi për të cilin ai akuzohet është një vepër penale në Britani.