Kolegji Zgjedhor i mbledhur ditën e sotme, ka marrë në shqyrtim kërkesën e deputetit Dashamir Tahiri, i cili kërkon kthimin e mandatit të deputetit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i’a hoqi pak javë më parë në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit.
Në këtë proces të ditës së sotme, janë të pranishëm përfaqësues të KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa si relator i çështjes është Astrit Kalaja.
Anëtarë të Kolegjit janë, Gjin Gjoni, Ridvan Hado, Shkëlqim Mustafa dhe Sotiraq Lubonja.
Gjatë fjalës në seancë, avokati i Tahirit deklaroi se vendimi ndaj klientit të tij është falur në Itali në vitin 2006.
“Vendimi i KQZ është marrë me një shumicë të thjeshtë dhe duhet të ishte marrë me shumicë të cilësuar” tha ai.
Ndërkohë përfaqësuesja e KQZ, deklaroi se Kolegji Zgjedhor nuk është organi kompetent për shqyrtimin e kërkesës.
Ish- deputeti Tahiri pretendon se ka zbatuar çdo kërkesë të ligjit për dekriminalizimin dhe nuk ka patur si qëllim të fshehtë dënimin që gjykata e Ravenas kishte marrë ndaj tij, por për këtë fakt nuk ka patur dijeni.