Mbyllet nesër Viti i Skënderbeut, ja si do festojnë shqiptarët e Romës

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nesër, në orën 15.30, në Sheshin Albania

Viti i afrohet tani fundit e pikërisht nesër, mbyllet në të gjithë trevat shqiptare, ku Heroi kombëtar është kujtuar me meshë, veprimtari kulturore, botime, ekspozita, mbrëmje tematike… Në Romë, shqiptarët e diasporës nuk mund të mos e kujtojnë me vizitën tradicionale në monumentin kushtuar Skënderbeut, në Sheshin Albania. Pikërisht me këtë nderim, që përsëritet çdo vit, organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Itali, kësaj radhe, edhe në bashkëpunim me shoqatën “Integra”, mbyllet Viti kushtuar Gjergj Kastriotit. Pra, nesër, në orën 15.30, në praninë e ambasadores Anila Bitri dhe të kryetares së shoqatës, Klodiana Çuka (njëkohësisht, kryetare e Fondacionit “Bridge for Future” me seli në Tiranë) të gjithë shqiptarët me banim në Romë e rrethina janë të ftuar në sheshin Albania për t’i bërë homazhe monumentit të Heroit.

Projekt me komunën e Romës për mirëmbajtjen e gjelbërimit rreth monumentit të Skënderbeut

Në komunikatën për shtyp të ambasadës sqarohet se shoqata e kryesuar nga Klodiana Çuka, “ka propozuar një projekt novator për vlerësimin e kësaj figure të shquar historike, duke nisur nga adoptimi formal i hapësirës së gjelbërt rreth Sheshit Albania, për të siguruar mirëmbajtjen e zakonshme nga ana e Komunës së Romës”. “Impenjim i vazhdueshëm – vijon nota e ambasadës – që synon kështu të vërë në pah kujtesën historike të themeluesit të ‘vendit të shqiponjave’, duke forcuar edhe lidhjet kulturore e politike të Italisë me Shqipërinë, përmes një roli më aktiv të bashkësive ‘arbëreshe’ (emigruar në Italinë Jugore që nga vdekja e Skënderbeut, më 1468), edhe ato të ftuara, me një përfaqësi të atyre që banojnë në Lazio, Abruzzo e Molise, trashëgimtarë të shumë emigrimeve shqiptare në shekuj, deri në atë më të fundit, të vitit 1991”.

Fjalët e homelisë në meshën e kremtuar në Lezhë, më 17 janar 2018

Duke i ftuar të gjithë shqiptarët të takohen nesër në orën 15.30, në Sheshin Albania, në Romë, tashmë në 551-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kujtojmë së fundi, se në homelinë e meshës së kremtuar në Lezhë, një vit më parë, imzot Angelo Massfra pati theksuar: “Kujtimi i 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut nuk dëshiron absolutisht të jetë kremtim i një lufte fetare, as dëshirë për të arsyetuar lumenjtë e gjakut, që kanë lagur Atdheun tonë për shkak të atyre luftërave. Në të vërtetë, Skënderbeu nuk ka bërë luftë fetare, por vetëm ka mbrojtur Atdheun nga pushtuesi dhe fenë e krishterë, pjesë e identitetit të popullit shqiptar në atë epokë. Aq më pak mund ta gjykojmë historinë “me mend pas kuvendit”, siç mendojnë të bëjnë disa sot, sepse parimi i parë i historiografisë është pikërisht ky: historia gjykohet me historinë. Të mos e harrojmë: Skënderbeu ishte “atleti i Krishtit”, ashtu sikurse Papa Eugjeni IV (ose Kalisti III) e ka përkufizuar, një njeri që, pikërisht sepse jetoi në oborrin e Sulltanit, vendosi pastaj të bashkohej me kauzën e popullit të vet dhe ta mbronte atë nga ato që ishin vetëm qëllime ekspansioniste të cilat nuk kishin aspak të bëjë me fenë, por vetëm me politikën”.

Fjalët e Papës Françesku, në takimin me shqiptarët në Vatikan, më 19 nëntor 2018

Edhe Papa Françesku, në takimin me shqiptarët në Vatikan, më 19 nëntor 2018 – veprimtari, me të cilën e mbylli Vitin kushtuar Skënderbeut ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë –  e pati theksuar idenë se Heroi Kombëtar është shprehje e një populli. Në atë rast, nënvizoi: “Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë”.

 

Zjarr Tv Ad