Teuta Doçi, motra e Agim Doçit ishte e ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites” , ku mes emocionesh ndau detaje nga lidhja me vëllanë e saj të ndjerë dhe shkrimtarin e njohur shqiptar.
Agim Doçi humbi jetën në 24 qershor të këtij viti, dhe për të motrën e tij dhimbja është ende e freskët. Mes lotësh ajo tregoi se çdo natë kishte një telefonatë me Agimin.
“Kjo kohë është e mbushur me dhimbje, por dhe me shumë mall. Mua më duket sikur dhe tani që jemi bashkë mund t’a marrë në telefon. Unë dhe Agimi kishim një telefonatë të përnatëshme, nëse ishte verë telefonata ishte në orën tetë të pasdites, ndërsa në dimër në shtatë të pasdites. Agimi, duke qenë dhe 16 vjeç më i madh se unë ka qenë si prindër i dytë për mua. Ka qenë mbështetësi dhe shumë tolerant me mua. Për Agimin vazhdon dhe postohet në rrjetet sociale. Mungesa është shumë e madhe. Unë mendoja se me ikjen e prinderve, sidomos të nënës nuk do ndjeja më dhimbje, por ikja e Agimit ishte shumë e vështirë. Agimit i thërrisja Lali dhe kam qenë shumë e përkëdhelur. Në takim me prindërit, kur unë isha në gjimnaz vinte gjithmonë Agimi”, tha Teuta Doçi.
E motra e Agim Doçit tregoi momentin më të bukur me të vëllanë. Ajo ndau në studion e “Vizioni i Pasdites” gjestin e veçantë të Agimit në dasmën e saj.
“Momentet që unë kam përjetuar bashkë me të janë momentet që nuk i harroj dot. Momenti më i bukur me Agimin është ditën e dasmës sime. Në ditën që unë u martova ndodhi një fatkeqësi ne fisin tonë. Gimi së bashku me nënën time ishin dy personat që jo vetëm e mbajtën sekret, por e kthyen situatën që unë të mos merrja vesh asgjë. Ai ktheu gjithçka në favorin tim, donte që unë atë ditë të isha e gëzuar. Gimi ishte vërtet shumë emocional, se nëse nuk je emocional nuk i shkruaje dot ato vargje. Ishte vërtetë shumë i ndjeshëm. Po mos t’a vlerësoje siç duhet, Agimi prekej shumë, por dhe shpërthente. Agimi shkoi dy herë në Eurovizion. Ka qenë super i lumtur ato ditë”, shtoi e motra.
Sa i përket homazheve, ajo tha se askush nuk u vetëofrua edhe pse e kishin detyrim. Teuta tregoi pengun më të madh të Agim Doçit. Ajo tha se ai dëshirontë të kishte një emision të tij në television.
“RTSH ishte një institucion që duhej të vetëofrohej nëse do dëshironim të bënim një homazh, por kjo nuk ndodhi. Detyrimin që patën nuk e bërën, por s’ka problem. Agimi ka shkruar shumë tekste të bukura. Unë kujtoj gjithmonë këngën e parë. Pastaj kënga “E duam Lumturinë” që u bë ikonike. Ai kishte shumë dëshirë të kishte një emision të tij në televizon për këngët. E ka pasur shumë dëshirë. Donte një emison që t’a drejtonte dhe t’a moderonte vet”, tha Teuta Doçi.